Transmetuar më 07-05-2019, 14:34

Dalin analizat e mostrave të ujit të pijshëm në Bulqizë, ku qysh prej fundjavës së lënë pas mbi 100 persona janë helmuar, duke përfunduar në spital me të vjella dhe bark.

Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije ditën e sotme, se shkak për helmimin e banorëve të Lagjes së Vjetër, nuk është bërë uji i pijshëm.

“Përgjigja e mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, në laboratorin e ISHP, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale. Nga ana e specialistëve të ISHP në zonën ku janë paraqitur më shumë raste, janë marrë mostra uji në rrjetin ujësjellës, këto mostra janë në proces analizimi për parametrat mikrobiologjik, fiziko-kimike dhe toksikologjike (metalet e rënda dhe pesticidet), këto analiza pritet të dalin në ditët në vijim”, thuhet bnë njoftimin e ISHP.

Po ashtu sqarohet se për një përgjigje më të plotë për shkaktarin e simptomave tek qytetarët e Bulqizës duhet të presim rezultatet e tjera të analizave nga mostrat e marra nga grupi i ISHP në Bulqizë.

Helmimi në masë u dyshua pasi uji i pijshëm që vjen në çezmat e banorëve përmes tubacionit të rrjetit të ujësjellësit lokal, mendohet të jetë përzier me ujërat e ndotura që rrjedhin nga miniera e kromit dhe galeritë e shumta që ndodhen atje. /a.y/noa.al