Transmetuar më 08-05-2019, 09:11

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ishte ditën e djeshme në Letoni, për tu njohur me gjendjen e dy ushtarakëve të plagosur, ku nga shpërthimi i një mine, mbeti e vdekur nëntetarja Zarife Hasanaj.

Xhaçka tha se ndodhet atje për të ndarë më ta hidhërimin, teksa mësoi se gjendja e major Klodian Tanushit është mjaft e rëndë.

Ministrja e Mbrojtjes u takua edhe me mjekët që po ndjekin me vëmendje maksimale gjendjen e major Tanushit.

Ministrja Xhaçka e shoqëruar nga gjeneralmajor Nazmi Cahani, përfaqësuesi ushtarak i Shqipërisë në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel dhe atasheu ushtarak shqiptar kolonel Fadil Ciroku, mbërritën në bazën ushtarake Camp Adazi. Në takimin me efektivët shqiptarë, ministrja e Mbrojtjes shprehu dhimbje për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku si pasojë e shpërthimit të municioneve të paplasura, gjatë kryerjes së detyrës, humbi jetën nëntetare Zarife Hasanaj dhe u plagosën major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj. Në mënyrë të veçantë, ministrja Xhaçka u interesua për dy efektivet, Enkelejdën dhe Nadjën, të cilat janë pjesë e kontingjentit të mbërritur në Letoni 5 muaj më parë.

“Familjet e tre efektivëve, ju dhe familjet tuaja, do të keni mbështetjen time personale, por edhe të secilit prej 8 mijë efektivëve të familjes sonë të madhe ushtarake, për të kapërcyer këtë moment të vështirë. Ju nuk do të jeni kurrë vetëm dhe asnjëherë s’do të jenë vetëm familjet e çdo burri dhe gruaje në uniformë”, tha ministrja e Mbrojtjes gjatë bashkëbisedimit me efektivët.

Djemtë dhe vajzat e kontingjentit, misioni i të cilit përfundon pas pak javësh, thanë se janë të vendosur për të përfunduar plotësisht dhe me dinjitet misionin, jo vetëm si detyrim kushtetues, por mbi të gjitha për të vijuar angazhimin e lënë në mes nga kolegët e tyre.

Në takimin me ministren Xhaçka, drejtuesit ushtarakë kanadezë e letonezë të bazës, shprehën vlerësimet maksimale për përfaqësimin dinjitoz dhe profesionalizmin e efektivëve shqiptarë në këto dy vite të përfshirjes së tyre të misionit të NATO në Letoni.

Bëhet me dije se ditën e djeshme rreshteri i Forcave të Armatosura, Julian Kapaj ka dalë nga spitali. Ndërkohë gjendja e majorit Klodian Tanushi paraqitet tejet kritike.

Mësohet se mjekët po punojnë për ta mbajtur në jetë, për shkak të gjendjes së tij të rëndë, si pasojë e dëmtimeve të marra.

Shpërthimi i minës ndodhi mëngjesin e kësaj të hëne në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATO-s “Enhanced Forëard Presence”.

Grup i kontigjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, në ora 9.10 të ditës së djeshme 6 majit, mbetën të dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura.

Ngjarja ndodhi gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve.

Nga ky shpërthim mbeti e plagosur dhe më pas humbi jetën nëntetare Zarife Hasanaj.

Të plagosur mbetën edhe komandanti i kontigjentit, Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj. /a.y/noa.al