Transmetuar më 15-05-2019, 14:02

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dha një intervistë për televizionin shqiptar “Nova”, ku foli për qëllimet e vizitës së saj në SHBA dhe për situatën aktuale politike në vend.

Kryemadhi tha se ndodhej në SHBA për të marrë pjesë në Forumin e ish-kongresmenëve dhe ish-senatorëve, ku ka zhvilluar disa takime me kongresmenë, ish-kongresmenë, senatorë dhe ish-senatorë, me të cilët ka folur për situatën aktuale politike në Shqipëri dhe në rajon.

Në lidhje me situatën politike në Shqipëri, Kryemadhi tha se do të zhvillojë disa takime konsultative me institucione partnere të LSI-së. Kryetarja e LSI-së tha se situata politike nuk është në normalitet dhe se për këtë nevojitet një reagim për të nxjerrë vendin nga kriza.

“Unë nesër kam disa takime të tjera, të cilat janë takime në kuadrin e konsultimit. Situata në të cilën gjendet Shqipëria është ndryshe nga herët e tjera. Nuk është më një situatë ku jemi në normalitet, kemi një Shqipëri e cila lëngon nga problematika shumë të mëdha, ku për hir të së vërtetës shkaktarë të këtyre problematikave jemi vetë ne klasa politike, duke përfshirë dhe veten time si përgjegjëse të kësaj situate, por pavarësisht nga kjo mendoj që më mirë vonë se sa kurrë, ne të gjithë duhet të reagojmë për të nxjerrë vendin nga kriza”, tha Kryemadhi.

Gjatë intervistës Kryemadhi ka zbuluar dhe programin dhe propozimin e opozitës për qeverinë tranzitore. Ajo tha se gjithashtu opozita propozon që në Kushtetutë të shkruhet që qeveria tranzitore të krijohet çdo tre muaj para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri.

Kryetarja e LSI-së theksoi se kjo gjë është e plotësisht e mundshme për tu realizuar, pasi është aplikuar edhe në vendet e tjera të rajonit. “Opozita ka paraqitur një program përsa i përket qeverisë tranzitore. Po çfarë është qeveria tranzitore? Do të thotë një qeveri kujdestare që garanton zgjedhjet.

Sepse sot nuk është se ne nuk duam të hyjmë në zgjedhje, nuk është se duam të bojkotojmë zgjedhjet. Ne nuk duam që zgjedhjet të vidhen, të manipulohen, të deformohen, të mashtrohen njerëzit, mos të intimidohen dhe mos të përfshihen në grupe kriminale në gjithë këtë proces zgjedhor.

Dhe cili është propozimi i opozitës? Që ne duhet të kemi një qeveri tranzitore të cilën ta shkruajmë në Kushtetutë që çdo qeveri apo çdo mazhorancë 3 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të ketë një qeveri transitore”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.