Transmetuar më 15-05-2019, 17:39

Opozita është e vendosur se vetëm një qeverisje tranzitore me një mandat 6-mujor mund të çojë vendin drejt një stabiliteti, që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

I ftuar në studion e lajmeve të RTV Ora, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu përmend disa emra nga PS dhe PD, të cilët sipas tij janë të denjë për një qeveri tranzitore dhe që mund të bashkëpunojnë me një platformë veprimi.

Fatmir Mediu: Kur unë kam përmendur Arben Malaj, Arta Dade, Rexhep Mejdani, Namik Dokle, Ndre Legisi pra disa autoritete politike të PS nuk është se këndvështrimi im politik është i njëjtë me ta.

Por besoj që kanë treguar që kanë autoritet për t’i shërbyer interesave të vendit, jashtë këtyre interesave manipulative.

Nga ana tjetër kur them Besnik Mustafaj, Anila Godo, Rexhep Uka, Myqerem Tafaj dhe plot emra të tjerë kanë të bëjnë me disa njerëz që besoj, gjykimi im jam subjektiv ndoshta, kanë një vlerësim nga gjithë opinioni publik për qëndrimet dhe punën e tyre.

Pra kanë një lloj integriteti jo vetëm në raportet e brendshme politike, por edhe në raport me opinionin publik.

Ka mjaftueshëm njerëz nga të dyja krahët që mund të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin me një platformë të qartë veprimi të qeverisjes për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.