Transmetuar më 16-05-2019, 12:18

Shqipëria është sot në ditë zie, për shkak të humbjes së jetës së major Klodian Tanushit, i cili gjeti vdekjen jeta si pasojë e shpërthimit të një mine në Letoni.

Në nderim të ushtarakut të ndjerë, në seancën e sotme parlamentare pak pas orës 12.00, deputetët mbajtën një minutë heshtje.

Më herët përpara arkivolit të majorit të ndjerë gjatë homazheve të mbajtura u përulën një sërë personalitetesh, për të nderuar kujtimin e tij, që nga Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj etj.

Trupi i pajetë i majorit do të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve, ashtu sikundër pak ditë më parë u përcoll kolegia e tij nëntetare Zarife Hasanaj.

Kujtojmë se Komisioni Qendror i Statutit “Dëshmor i Atdheut”, nën drejtimin e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, e shpalli major Klodian Tanushin, i rënë në krye të detyrës, “Dëshmor i Atdheut”.

Shpërthimi i minës ndodhi mëngjesin e të hënës së 6 majit në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATO-s “Enhanced Forward Presence”.

Grup i kontigjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, në ora 09.10 të 6 majit, mbetën të dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura.

Ngjarja ndodhi gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim mbeti e plagosur dhe më pas humbi jetën nëntetare Zarife Hasanaj.

Të plagosur mbetën edhe komandanti i kontigjentit, Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj. Por pavarësisht ndihmës së marrë në spital, major Tanushi gjeti vdekjen më 10 maj. /a.y/noa.al

Meta pas homazheve: Lamtumirë Major Tanushi! Le pas dhimbje të madhe

Ditë zie në nderim të tij, mbahen homazhet për major Tanushin