Transmetuar më 20-05-2019, 13:29

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Gjermania ka konfirmuar sot mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Haradinaj detajoi se mbështetja u konfirmua nga ana e Ministrit të Brendshëm të Gjermanisë, Seehofer i cili duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, e ka konsideruar të justifikueshme kërkesën e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur të lirë në zonën Shengen dhe duke këmbëngulur që Kosova i ka përmbushur kriteret e nevojshme për këtë proces.

“Gjermania edhe njëherë konfirmon mbështetjen e Kosovës për liberalizimin e vizave. Në publikimin e radhës të FAZ, theksohet mbështetja e Ministrit të Brendshëm të Gjermanisë, Seehofer për procesin e liberalizimit të vizave, duke e konsideruar të justifikueshme kërkesën e kosovarëve për të lëvizur të lirë dhe duke këmbëngulur që Kosova i përmbush kriteret e nevojshme për këtë proces.

Një mbështetje të madhe këtij procesi i ka dhënë edhe deputeti i Partisë së Gjelbër Manuel Sarrazin, derisa në korrik të 2018-tës, Komisioni i BE-së konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat, e po të njëjtin vlerësim vendi e mori edhe nga Parlamenti Europian.

Tani Kosova ka krijuar ekipin e saj për të bashkëpunuar me Qeverinë gjermane, që ky proces të finalizohet sa më parë. Kosovarët, tashmë e kanë marrë PO-në e madhe nga Gjermania, për ta jetësuar të drejtën e tyre për lëvizje të lirë. Urime Kosovë”, ka pohuar sot, Ramush Haradinaj.