Transmetuar më 21-05-2019, 23:54

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim,

Luan Rama ka folur për shoqërinë shqiptare dhe fenomenet që e karakterizojnë atë por edhe për situatën aktuale politike. Rama ka ndarë opinionin e tij për policinë shqiptare, veprimet e saj në protestat që ka zhvilluar opozita por edhe për deputetët e rinj të parlamentit shqiptar të cilët sipas tij janë të nivelit më mediokër të shoqërisë.

Luan Rama: Ka patur shfaqje publike të policisë së shtetit në tejkalim të kompetencave që i jep ligji. Ka shumë mjete të tjera që ligji i parashikon, që policia duhet ti përdorë deri sa të mbërrijë te agresiviteti i përdorimit të lëndëve neuroparalizuese.

Mustafa Nano: Çfarë qëndrimi keni për këtë situatë, që ka shpeshherë protesta të njerëzve që kanë ndërtuar pa leje dhe reagojnë dhunshëm?

Luan Rama: Mendimi im është se ka një qëndrim me dy standarde të vetë shtetit. Aty ka qytetarë që kanë arritur ti legalizojnë dhe po ashtu ka të tjerë që për arsye subjektive nuk kanë mundur ti legalizojnë shtëpitë mirëpo të dy palët kanë ndërtuar në të njëjtën kohë dhe ndodh që përzgjedhja nga ana e shtetit është selektive ndërkohë shteti ja u ka vjelë taksat njëlloj të dyve. Për mua kjo është shfaqje e papërgjegjshëmrisë së shtetit. Në protesta ka zhvillime të ndryshme, protesta nuk është ballo, ndodh që digjet edhe ndonjë makinë, thyhen edhe dy xhama por e rëndësishme është që të mos cenohet njeri, të mos dëmtohet shëndeti i cilitdo. Ata nuk mund të bëhen fajtorë sot, për një gjë që e ka bërë shteti dje.

Mustafa Nano: Ju keni qenë dakord për deputetët që të djegin mandatet por a keni qenë dakord që edhe pas djegieve të mandateve të adoptohet çdo lloj qëllimi tjetër mos të bojkotohen dhe zgjedhjet lokale?

Luan Rama: Arsyeja e djegies së mandateve lidhet me standardet e zgjedhjeve dhe për sa kohë standardi i zgjedhjeve nuk ka ndryshuar, nga zgjedhjet që prodhuan jo thjesht një qeverisje e dalë nga një rezultat fiktiv. Djegien e mandateve e konsideroj dhe është një veprim “in  extremis” dhe veprimet e tilla asnjëherë unë nuk i quaj të arsyeshme por kjo është një çështje që ha diskutim”.

Mustafa Nano: Këto deputetët që futen tani nga listat tuaja të PD dhe PS për mendimin tim kanë motive korruptive që janë në kuvend, si mendoni?

Luan Rama: Ata kanë bërë një zgjidhje pragmatike për të shfrytëzuar një oportunitet, që të jenë një herë në jetën e tyre deputet, të cilët s’do të jenë më kurrë në jetën e tyre, ka nga ata që janë aty, për të përfituar një pension më të mire se i zakonshmi, ka nga ata që janë atje për një lloj protagonizmi idiot saqë nuk e kontrollojnë dot veten.

Mustafa Nano: I keni futur ju nëpër lista apo jo?

Luan Rama: Ky është një moment përgjegjësie që unë e quaj të moralshme t’ju kërkoj ndjesë qytetarëve për mënyrën se si janë bërë listat, t’ju kërkojë ndjesë qytetarëve për çfarë lloj nivel përfaqësimi ka parlamenti. Ai parlament ka vite që nuk përfaqëson as mesataren e ponderuar të nivelit mediokër të shoqërisë shqiptare madje është më poshtë së kaq.