Transmetuar më 25-05-2019, 15:14

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet sot në Has, në veri të Shqipërisë, pasi po merr pjesë në një ceremoni nderimi.

Thaçi është dekoruar me titullin “Qytetar Nderi” i Krumës raporton noa.al.

Në një fjalë që mbajti gjatë ceremonisë, z. Thaçi, tha se në një të ardhme të afërt, Kosova dhe Shqipëria do të jetojnë bashkë, pa kufij mes tyre.

Thaçi foli dhe për mundësinë e bashkimit të Luginës me Republikën e Kosovës, duke e theksuar këtë sot, edhe para qytetarëve të Hasit. “Ju keni qenë bashkërisht në istikamet e luftës dhe bashkërisht do të jetojmë në liri, dhe bashkërisht do të jetojmë në të ardhmen e afërt në një shtet të përbashkët Kosovë-Shqipëri. Të jeni të sigurtë që shumë e lehtë është realizmi i ëndrrës që të kemi një hapësirë pa kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë, sesa që ka qenë sfida e largimit të Serbisë nga Kosova dhe kjo do të ndodhë”, – siguroi z. Thaçi.

Presidenti Thaçi tha më tej se do të vazhdojë përkushtimin e tij, që ai e quajti jetësor për bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me territorin e Republikës së Kosovës.

Ai premtoi se Lugina do t’i bashkohet Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës së Kosovës, e sidomos, pa u prekur Ujmani dhe Trepça.

“Ju e dini botërisht dhe e ritheksoj edhe sot këtu në mesin e burrave të Hasit dhe grave, zotimin tim dhe përkushtimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës së Kosovës, as Trepça, as Ujmani, as Mitrovica, asnjë cep i territorit të Kosovës si parakusht për bashkim kombëtar”, tha Thaçi duke theksuar se misioni i Kosovës për liri dhe pavarësi është i pamjaftueshëm dhe se shqiptarët janë ndarë padrejtësisht e tani duhet të bashkohen me vullnet. Kurse shtoi edhe se ka ardhur momenti të punohet mençurisht, duke bërë largimin e pikave kufitare që janë të imponuara padrejtësisht. /noa.al/