Shpërndahet drogë Ekstazi në shkollat dhe universitetin e Shkodrës
Transmetuar më 28-05-2019, 10:30

Dukuria e shitjes së drogave të ndryshme nuk ka përfshirë vetëm kryeqytetin shqiptar por edhe plot zona të tjera të vendi ku po gëlojnë narkotikët.

Në Shkodër, djem e vajza të moshave fare të reja, po e blejnë drogën sheshit nëpër qytet.

Pedonalja është bërë e famshme për qarkullimin e drogave. Atje gjen plot drogëra, 1 gram kokainë që kush di se çfarë kualiteti është, shitet për 6 mijë deri 10 mijë lekë ose 50 deri 80 euro.

Hashashi shumë më lirë deri 1 mijë lekë qeska.

Por rinia e sotme dëshiron më shumë drogat që japin efekt në çast dhe zgjasin pak orë.

Ndaj Pedonalja e Shkodrës është mbushur dhe me Ekstazi e Mitsubishi, dy nga drogat që shiten më shumë sidomos nga adoleshentët. Ato janë dhe të lira pasi një petë apo pilulë blihet për 500 lekë ose një pako me disa të tilla për 2 mijë lekë.

Këto informacione që noa.al i sjell përmes përcjelljes së dëshmive të djemve e vajzave në Shkodër, duket se i ka dhe policia lokale.

Ajo ka futur nën vëzhgim Pedonalen dhe sot, një operacion policor i koduar “Pedonalja”, ka vënë në pranga një të ri në Shkodër, të dyshuar për shpërndarjen e lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave dhe Universitetit.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një person shpërndante lëndë narkotike ‘Ekstazi” në afërsi të shkollave të mesme dhe Universitetit, u bë dhe organizimi i operacionit.

Pas hetimeve 3- mujore me metoda speciale, u bë arrestimi i të dyshuarit.

Policia tha zyrtarisht se në lagjen “Kongresi i Përmetit” Shkodër, u bë kapja dhe ndalimi i M. K., 24 vjeç, banues në Shkodër, ku gjatë kontrollit policia i gjeti një sasi prej 310 copë tableta të dyshuara si lëndë narkotike “ekstazi”, të cilat po i shpërndante.

Në vijim të kontrollit, në një banesë që i riu e mbante me qera, policia gjeti edhe 11 qese farmaceutike me një total prej 680 copë tableta, të dyshuara si lëndë narkotike të llojit “ekstazi”.

Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan gjithsej 990 tableta lëndë narkotike e dyshuar e llojit “Ekstazi”, ndërkohë që ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /a.y/noa.al

Loading...
loading...
Loading...