Transmetuar më 28-05-2019, 16:02

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka mbajtur fjalën e tij në Parlamentin e Serbisë në lidhje me arrestimet e ndodhura sot në Kosovë, ku janë prangosur serbë dhe boshnjakë. Vuçiç, duke komentuar arrestimin e serbëve, tha se “ata janë lidhur si kafshë”.

“Qëllimi i arrestimit të sotëm të serbëve në veri ishte që të frikësohen, që të terrorizohen dhe të mos ngrenë kokë përballë shqiptarëve. Qëllimi i vetëm i shqiptarëve është që të marrin veriun. Reagimi i Beogradit po planifikohet”, tha kreu i shtetit serb. Sipas Vuçiç, serbët e arrestuar janë lidhur si kafshë, kurse ata pak shqiptarë të prangosur, janë lejuar që të telefonojnë familjarët.

Nga ana e tij, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se reagimi i Aleksandar Vuçiç për aksionin në veri është i pakuptimtë. Haradinaj u shpreh se Vuçiç po mbron krimin.

“Është një operacion në shkallë të vendit, është i drejtuar ndaj personave që janë të përfshirë në vepra të paligjshme. Është krejtësisht zbatim i ligjit. Policia e Kosovës ka zbatuar obligim ligjor. Në Zubin Potok ka pasur tentativa prej trafikantëve që me armë zjarri ta pengojnë këtë operacion.

Policia e Kosovës është e aftë ta kryejë detyrën e vet. Është për admirim puna e Policisë së Kosovës. Ne nuk mundemi të shkojmë në BE duke e përkrahur krimin. Është i padrejtë si reagim, dhe është e pakuptimtë që të vendosësh në mbrojtje të krimit”, tha ai./b.l/noa.al/