Transmetuar më 29-05-2019, 06:48

Me 145 vota pro dhe 4 kundër, Parlamenti serb miratoi të martën raportin për Kosovën. Gjatë diskutimeve dyditore lidhur me raportin e hartuar nga zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Presidenti Aleksandar Vucic tha se Serbia duhet ta pranojë se e ka humbur kontrollin mbi Kosovën dhe se duhet të arrijë një kompromis me Prishtinën për normalizimin e raporteve.

Deputetët zhvilluan diskutime për raportin prej 82 faqesh, në 17 nga të cilat paraqiten të dhëna mbi dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës nga viti 2013 deri në maj 2019. Pjesa tjetër paraqet “rezultatet më të rëndësishme të zyrës për Kosovën nga maji 2014 deri në vitin 2019”.

Në raport thuhet se dialogu ka qenë në interes të serbëve në çdo drejtim, dhe se gjatë periudhës së bisedimeve raportet me Kosovën kanë qenë më të qeta. Palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut. Pala serbe është tërhequr nga bisedimet në nëntor të vitit të kaluar pas taksës prej 100% të vendosur ndaj mallrave të importuara nga Serbia. Vuçiç ka thënë se nuk do t’i rikthehet procesit deri në shfuqizimin e kësaj mase, por Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, këmbëngul se ajo nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën.