Transmetuar më 31-05-2019, 20:53

Shqipëria përballet në dy ndeshjet e radhës në kuadër të Eliminatoreve të Evropianit të 2020-ës me Islandën dhe Moldavinë, por, përkundër faktit që kuqezinjtë kanë hyrë në fazë intensive të përgatitjeve të tyre, nordikët ende nuk kanë nisur të mendojnë, as për sfidën e 8 qershorit me skuadrën e trajnerit Edi Reja, por as për atë 3 ditëve më pas me Turqinë, të dyja në fushën e tyre.

Në fakt, kjo vjen edhe për faktin se kampionati islandez i futbollit, i cili ka më pa se dy muaj që ka nisur, për arsye të kuptueshme të kushteve klimatike, është ende në veprimtari dhe më 2 qershor luan takimet e javës së tij të 6-të.

Vetëm të hënën pritet të jetë bërë e ditur lista e lojtarëve që trajneri Erik Hamren do të grumbullojë për këto dy sfida dhe të nisin përgatitjet, fillimisht vetëm për përballjen me kuqezinjtë, e më pas edhe për atë me turqit.

Ndërkohë, nuk ka munguar vëmendja e mediave islandeze për Kombëtaren shqiptar, të cilat kanë nisur të ndjekin konferencat e përditshme për shtyp të futbollistëve kuqezinj.

Në artikujt e së premtes veçohen fjalët e sulmuesit Armando Sadiku, i cili e ka vlerësuar Islandën si një kundërshtar të fortë, sidomos në luftën në ajër, por ka kërkuar që kuqezinjtë t’i harrojnë dy humbjet identike, 1-2, të pësuara me nordikët para 6 vjetësh, si në shtëpi, ashtu edhe në fushë të huaj.

Po ashtu, mediat islandeze kanë veçuar faktin se ardhja e trajnerit veteran, Edi Reja, ka ndryshuar atmosferën në Kombëtaren shqiptare.

Pas dy ndeshjeve të para në grupin H, Shqipëria dhe Islanda ndajnë vendin e 3-të dhe të 4-t të renditjes, me nga 3 pikë secila, pas një fitoreje dhe një humbjeje.