Transmetuar më 01-06-2019, 22:34

Sot nis maratona jonë 30 ditore për zgjedhjet e 30 qershorit dhe konfirmimin e Partisë Socialiste e të kandidatëve tanë, si forca e padiskutueshme udhëheqëse e ndryshimit dhe zhvillimit në çdo bashki të Shqipërisë.

Sot nis një maratonë 30 ditore për një beteje politike më të qartë se asnjëherë më parë, mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes nesh që duam ta çojmë Shqipërinë përpara me ide, programe, punë në çdo drejtim dhe atyre që duan ta kthejnë mbrapa këtë vend me baltë, sherr, konflikt në çdo ballafaqim, mes nesh që duam një vend normal demokratik për fëmijët tanë dhe atyre që duan vetëm pushtet përmes dhunimit të demokracisë.

Sot është 1 qershori, dita e fëmijëve dhe e ardhmërisë që ne duam të ndërtojmë për ta. Kjo ditë është një arsye më shumë, për ta thënë me zë të lartë se rruga e vështirë që kemi zgjedhur, duke bërë reforma që askush më parë nuk guxoi t’i imagjinonte, është detyrimi ynë ndaj fëmijëve të këtij vendi. Edhe këto zgjedhje, të cilat janë braktisur nga kundërshtarët tanë kryesorë politikë, janë pjesë e detyrimit tonë ndaj fëmijëve të këtij vendi.

Kundërshtarët tanë kanë frikë nga zgjedhjet. Prandaj bërtasin rrugëve kundër zgjedhjeve. Kanë frikë nga gjykimi i popullit në zgjedhje. Prandaj kërcënojnë rrugëve se s’do ta lejojnë popullin të zgjedhë. Kanë frikë nga ballafaqimi demokratik. Prandaj përbetohen rrugëve se do të na imponojnë një përplasje antidemokratike.

Sot, nga kjo vendnisje e maratonës sonë drejt 30 qershorit unë iu them të gjithë shqiptarëve se zgjedhjet janë të çdokujt prej jush që dëshiron të votojë dhe kush e çon ndërmend se mund t’ju pengojë të zgjidhni duhet të mendohet dy herë përpara se sa t’i bjerë me kokë gurit themeltar të sistemit tonë demokratik.

Ata që vendosën të dalin këtë herë nga binarët e këtij sistemi, nuk mund të vendosin për asgjë më shumë përveç vetes së tyre dhe për askënd tjetër përveç njëri-tjetrit mes tyre. Zgjedhjet pa opozitën kryesore janë antidemokratike vetëm nëse opozita pengohet të hyjë në zgjedhje, po kur ajo vendos vetë që të mos hyjë zgjedhjet nuk janë aspak jodemokratike.

Imagjinojeni se çfarë rrumpalle bëhet demokracia në këtë vend nëse zgjedhjet bëhen pre e tekave politike të partive dhe sot shtyhen se do një parti, nesër shtyhen se do një parti tjetër e me radhë parti pas partish zgjedhje pas zgjedhjesh!

Imagjinojeni se çfarë çorapi bëhet jeta jonë demokratike nesër, nëse sot do të shtyheshin zgjedhjet për t’i hapur rrugë politikës destruktive të djegies të mandateve dhe dhunës partiake kundër institucionit themelor të demokracisë që është vota!

Imagjinojeni se çfarë kuptimi do të kishte nesër vota e popullit për mandatet e ardhshme qeverisëse, nëse sot do të fitonte politika e pengmarrjes së atyre që braktisin parlamentin dhe dalin në rrugë për të përmbysur qeverinë dhe zgjedhur për të imponuar një qeveri sipas tekave të tyre për zgjedhje të parakohshme!

Ku është parë kjo? Kjo s’është parë askund dhe s’ka asnjë shans të shihet në këtë vend, ku janë boll 30 vjet për t’i dhënë fund lojërave politike në dëm të zhvillimit demokratik e të shtetit të së drejtës.

Ata kanë të gjithë të drejtën e tyre ta luftojnë qeverinë. Ata kanë të gjithë të drejtën e tyre të ulërasin në kupë të qiellit kundër çdo gjëje që bën qeveria. Ata janë në të drejtën e tyre edhe të na shajnë e të na mallkojnë, duke kërkuar çdo ditë largimin e qeverisë. Madje është e drejta e tyre edhe që të mos lenë dy gurë bashkë për të sabotuar çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Po ata ta harrojnë se kanë në dorë gjë tjetër përveçse të vetëvriten politikisht, duke i rënë murit me kokë dhe përveçse të nxijnë faqen e tyre, duke nxirë Shqipërinë me gënjeshtrat, shpifjet e sajesat e tyre skandaloze.

Ata kanë një problem, janë pak ne kemi një avantazh, jemi shumë.

Ata janë dembelë e të paaftë për të drejtuar, ne jemi punëtorë jemi të përkushtuar në drejtim.

Ata janë frikacakë e të alarmuar nga Reforma në Drejtësi, ne jemi guximtarë dhe jemi të vendosur ta bëjmë këtë vend shtet ku drejtësia është një për të gjithë dhe të gjithë janë të barabartë përpara drejtësisë.

Ata janë në panik dhe prandaj i drejtohen dhunës, ne jemi në të drejtën tonë dhe prandaj u drejtohemi shqiptarëve.

Ata janë të verbuar nga dëshpërimi dhe prandaj bëjnë gjëra të dëshpëruara, ne jemi të zgjedhur të udhëheqim dhe prandaj duhet vetëm të ecim drejt, përpara.

Ne nuk jemi më të mirët, po më të mirë se ne ky vend s’ka parë!

Kthehuni pak në histori dhe kujtohuni pak se si janë të ndara 30 vjet rrugë dhe përpjekje të këtij vendi për Shqipërinë Europiane.

Ata prish, ne rregullo. Ata bëj pis, ne pastro. Ata hap plagë, ne kuro. Ata bëj mbrapa, ne shty përpara. Ata përça e sundo, ne mblidh e bashko. Ata fut njerëzit nëpër piramida e zhyt vendin në borxhe, ne laj borxhet e tyre dhe rindërto themelet e ekonomisë. Ata bam e bum me baltë e me zjarr veç për pushtet, ne luftë me mund e me reforma për të bërë shtet.

Kujtoni Tiranën e tyre. Shikoni Tiranën tonë. Kujtoni Korçën e tyre. Shikoni Korçën tonë. Kujtoni Dibrën e tyre. Shikoni Dibrën tonë.

Kujtoni Fierin, Elbasanin, Pukën, Roskovecin, Divjakën e me radhë, të tëra bashkitë, kur ishin në dorën e tyre dhe shikojini sot, vetëm katër vjet në dorën tonë.

Asnjëra bashki, as vetë Tirana, nuk është ende siç ne e duam nesër për fëmijët, po kujtojini dhe shikojini pak se ku janë sot, krahasuar me ku ishin dje, vetëm katër vite më parë.

Shikoni çfarë bënë ata me Shkodrën për 30 vjet me radhë dhe shikoni çfarë bëmë ne me Vlorën për vetëm 4 vjet!

Duhet të jesh komplet qorr duke i pasur të dy sytë në ballë për të mos parë dallimin si nata me ditën, mes verbërisë së tyre të degradimit urban dhe vizionit tonë të Rilindjes Urbane që ka rkthyer dritën e shpresës në të gjithë qytetet dhe fshatrat ku ne kemi qeverisur.

Ata shaj e akuzo, ne puno dhe rindërto.

Shikojeni sot Sharrën e plehrave që digjeshin buzë lumit e prodhonin re të zeza mbi gjithë Kombinatin dhe dëgjojini se si na shajnë e na akuzojnë, pse e kemi kthyer atë kancer në një park me impiant teknologjik të fjalës së fundit, duke e zeruar ndotjen në Tiranë.

Vjedhje, vjedhje, vjedhje.

Priteni kur të fillojnë klithmat edhe për zhdukjen e kancerit të Porto Romanos, që do ta transformojmë së bashku me Valbonën, kryetaren e re të Bashkisë së Durrësit, në një park të madh për të gjitha moshat, jo vetëm për ata që banojnë në Durrës, por edhe për të gjithë të tjerët, që do të shkojnë atje për atë park.

Vjedhje edhe në Lungomaren e në Bulevardin e ri të Vlorës, ku po përfundon puna transformuese që do të vazhdojë me të tjera vepra shembullore të Rilindjes Urbane, duke i dhënë më në fund kuptim fjalës qytet turistik.

Vjedhje edhe në Lezhë, ku jemi aktualisht duke vjedhur në rrugën strategjike Milot-Balldren, të cilën ata e kthyen dhe e vulosën si autostradën e vdekjes, ndërkohë që ne do ta tranformojmë në një rrugë europiane të standartit A, dhe do të vazhdojmë së bashku me Pjerinin në rrugën e re turistike Shëngjin – Velipojë, për të vjedhur natyrisht.

Vjedhje edhe në Shkodër, ku pasi mezi bëmë disa punë këto katër vjet, duke anashkaluar kryebashkiaken më të paaftë mes më të paaftëve të partisë së paaftësisë, do të vjedhim tamam me Valdrinin në unazën turistike të liqenit, e cila do të jetë njësoj e bukur si Lungomarja e Vlorës.

Po si ka mundësi, më thoni si ka mundësi që këta njerëz shohin vetëm vjedhje, mendojnë vetëm vjedhje, flasin vetëm vjedhje dhe kurdoherë që sapo flitet për një punë, kudo ku nis një punë, për çdo gjë lidhet me punë e kanë në majë të gjuhës vjedhje, vjedhje, vjedhje!

Ka shumë mundësi, sepse për ta të punosh domethënë të vjedhësh dhe mesa duket s’kanë nisur kurrë një punë pa menduar se çfarë ka për të vjedhur dhe kanë vjedhur në çdo punë që kanë bërë!

S’kemi ç’u bëjmë, ata janë të mbrapshtë dhe nuk drejtohen dot, jo dot, deri kur të shpëtojnë, po shpëtuan dot ndonjëherë, nga ai që prej 30 vjetësh ju ka dhënë formën e tij të shtrembër si gungë dhe gojën e tij të shthurrur.

Motra e vëllezër,

kjo që nisim sot nuk është një fushatë zgjedhjesh pa kundërshtarë, po një betejë e madhe, historike, me kundërshtarët e zgjedhjeve!

Kjo është një betejë për t’i dhënë fund, përgjithmonë, një mënyre të ulët, të mbrapshtë, të pabesë, të të bërit politikë, duke u tallur me popullin; duke përbuzur ligjet dhe rregullat që duhet të vlejnë njësoj për të gjithë; duke dhunuar gjuhën që na bashkon në një komb, në një popull, në një komunitet njerëzish; duke dhunuar ligjësitë universale të demokracisë dhe të bashkëjetesës demokratike.

Kjo është një betejë për t’i dhënë fund çdo iluzioni ringjalljeje politike, të një Plaku të marrë dhe të marrë fund, që është mësuar të luajë me zjarrin dhe të kërcënojë socialistët; që e ka djegur Shqipërinë njëherë për së gjalli dhe ka arritur të rikthehet në pushtet, duke përfituar nga përçarja jonë në të shkuarën; që për fatin e keq të këtij vendi, kujton akoma se na bën dot shantazh me zjarrin e urrejtjes së tij përçarëse dhe me atë Pinokun e vogël që ka në krye të partisë së tij!

Kjo është një betejë për t’i dhënë fund përqeshjeve cinike të asaj partie dhe të çdo partie, me popullin Sovran dhe për ta mbyllur njëherë e mirë, kapitullin shumëvjeçar të diktatit të forcës së urrejtjes, mllefit, vulgaritetit mbi proceset demokratike dhe jetën parlamentare të vendit!

Kjo është një betejë që ne do ta zhvillojmë me pasion, këmbëngulje, me intensitet të madh komunikimi me qytetarët e këtij vendi, qoftë aty ku kandidatët tanë kanë kundërshtarë të regjistruar përballë, qoftë aty ku s’ka të tillë, po ku kundërshtari është po ai, fantazma e të shkuarës që po jep shpirt po nuk heq akoma dorë!

Kjo e 30 qershorit nuk është një betejë për votat, por ëhstë një betejë për zemrat e për mendjet e shqiptarëve, pavarësisht nëse duan apo s’duan të votojnë në këto zgjedhje, ku kundërshtarin ne nuk do ta mundim me votë, po me forcën e pathyeshme të vendosmërisë, sigurisë dhe qetësisë sonë.

Ajo që do të kërkojmë të parën në këtë maratonë 30 ditore, nuk do të jetë vota po do jetë qytetaria, nuk do jetë vota, por do jetë përgjegjshmëria kombëtare, nuk do jetë vota por do jetë përgjegjësia familjare e njerëzore, e kujtdo që do të jetojë në këtë vend apo që nuk jeton në këtë vend, po që nuk do rrumpallë, sherr e konflikt, aty ku jeton dhe në asnjë cep të këtij vendi.

Kundërshtari që s’do zgjedhje, kërkon njerëz lart e poshtë për të bërë një turp, një turp të madh sa ska, një turp që s’ka më turp, një turp që do ta dëmtonte rëndë Shqipërinë në çdo drejtim e në çdo aspekt; një turp që do ta bënte këtë vend një skenë barbarie e mizerabiliteti, duke e katandisur në të parin vend në historinë e Europës, ku zgjedhjet merren peng nga banditizmi i dhunshëm I një grupi politik; një turp që do ta damkoste këtë vend në sytë e mbarë Europës, si shembullin e frikshëm të asaj që vetëm armiqtë e Shqipërisë e kanë thënë për shqiptarët, kur kanë shkruar dhe kanë këmbëngulur që shqiptarët nuk bëjnë dot shtet, se nuk respektojnë dot as vetë rregullat që vendosin.

Këtë turp ne do t’ua lemë atyre që e mendojnë dhe e thonë pa pikën e turpit, por kurrëkush të mos guxojë as ta imagjinojë e jo më ta tentojë një maskarallëk të tillë ndaj këtij vendi që nuk është vendi i asnjë partie, por është vendi i të gjithë fëmijëve të Shqipërisë.

Ne do të punojmë fort dhe papushim, në këto 30 ditë të gjata me radhë, që çdo njeri i zakonshëm i këtij vendi, cfarëdoqoftë socialist a demokrat, votues a jovotues në 30 qershor, t’i përgjigjet me votë apo të distancohet me vendosmëri, nga ai turp që në fund do ta mbajnë vetëm ata që e kanë , por kurrë Shqipëria.

Ne nuk do të kërkojmë votën e askujt që nuk dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje, por gjithkujt do t’i shpjegojmë se të dalësh kundër zgjedhjeve me trup, fizikisht, do të thotë të dalësh kundër Kushtetutës, kundër ligjit, kundër jetës demokratike të vendit dhe kundër atyre që duan të shkojnë lirisht e qetësisht në votime, me të drejtën që askush nuk ua prek dot.

Ne nuk kemi zgjedhur të qeverisim me shembullin e forcës, por me forcën e shembullit dhe kështu do të vazhdojmë të bëjmë deri në fund. Por kush e merr qetësinë tonë për tulatje, kush na e kujton këtë vend akoma si sheshin e vjetër për përsheshet e një Plaku të Marrë, kush gënjehet nga vetëpërmbajtja jonë, luan me zjarrin.

Ne nuk duam të shohim asnjë njeri të zakonshëm të këtij vendi prapa hekurave, për hesap të Plakut të marrë dhe të një tufe frikacakësh që ulërijnë për të mundur frikën e tyre, prandaj do t’u dalim borxhit që të gjithëve, deri në fund, gjatë gjithë këtyre 30 ditëve. Do t’u tregojmë me durim ku janë kufijtë e ligjit për sjelljen ndaj zgjedhjeve, do t’i informojmë pa u lodhur për ndëshkimet e parashikuara në ligj për krimet zgjedhore. Po ashtu, do të jemi shumë të vërtetë dhe do t’u themi se sa keq mund të përfundojë një individ që dënohet për krime zgjedhore – duke humbur jo vetëm lirinë për vitet që parashikon ligji këtu në Shqipëri, po edhe lirinë e lëvizjes në SHBA, madje bashkë me gjithë anëtarët e familjes së tij dhe kush nuk më beson, të shkojë të pyesë Plakun dhe po ashtu edhe të hyrjes në Bashkimin Europian.

Unë kam bindjen se 30 qershori do të jetë një ditë ku shumë nga ata që sot dalin dhe në protestat partiake kundër qeverisë, nuk do të pranojë të bëhet mish për topat e atyre që i friken zgjedhjeve, i friken dhe drejtësisë. Por ne nuk duam që qoftë edhe një njëri i vetëm, njeri i zakonshëm, të bjerë në duart e drejtësisë për llogari të atyre që kujtojnë se duke nxitur dhunë dhe provokuar rrëmujë, do ta ndalin ndërtimin e sistemit të ri të drejtësisë.

Sot që flasim ka disa dhjetëra persona që janë prapa hekurave, sepse gabuan dhe iu përgjigjen kushtrimeve të marra të udhëheqësve të tyre për të djegur e dhunuar policinë dhe institucionet. Ata kanë të drejtën e tyre të pamohueshme që duan që qeveria jonë të largohet sot, jo nesër, po a i’a vlen që të përfundosh për vite të tëra burgjeve, për llogari të atyre që hodhën në zjarr njerëzit ndërsa për vete vazhdojnë flenë rehat në shtëpitë e tyre?! Unë them jo, unë them nuk ia vlen.

Dhe në fund kam një mesazh të drejtpërdrejtë, shumë personal, për të gjithë qytetarët e këtij vendi:

Unë s’jam më i miri. Nuk jam as i pagabueshëm. Kam të metat dhe kusuret e mia si njeri, po edhe si kryeministër. Bëj sa mundem, nuk bëj sa dua dhe jo gjithmonë arrij ta bëj aq mirë sa dua atë që mundem. Por sot dua t’ju them duke ju parë juve dhe të gjithë në sy:

Po të ishte kjo e imja një çështje thjesht personale, unë ju siguroj që do e kisha lënë prej kohësh këtë punë dhe nuk do mbaja kurrë në kurriz rrebeshin e përditshëm të gurëve e të baltës mbi vete.

Po të ishte kjo e imja një punë për përfitime personale, ju garantoj se as nuk e kisha marrë përsipër si fillim dhe as nuk do të kisha guxuar t’ia bëja njerëzve të familjes time, atë që u ndodh përditë për shkak të punës sime.

Unë mund të jem pasionant dhe arrogant po të doni, po kurrë s’kam qenë materialist dhe kurrë s’kam për të qenë as kriminel e as hajdut, si ata që më ngrenë e më ulin si të tillë, nga mëngjesi, në darkë, nga viti në vit, nga dekada në dekadë!

Unë mund të bëj gjykime të gabuara, mund të marr edhe vendime të gabuara, po kurrë as kam bërë, as kam marrë dhe as kam për të bërë e për të marrë, asnjë vendim për gjëra të gabuara që i di përpara si të gabuara. Kurrë s’e kam futur dhe s’kam për ta futur dorën në xhepin e asnjë njeriu të gjallë në këtë vend dhe në këtë botë. Kurrë s’e kam hedhur dhe s’kam për ta hedhur firmën time për të përfituar në rrugë të paligjshme apo për të dëmtuar vendin, njerëzit e këtij vendi dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Unë s’kam se si i provoj fjalët e mia për veten, por gjithmonë dhe tani i kam sfiduar dhe i sfidoj të gjithë ata që thonë të kundërtën, ta provojnë të kundërtën, me fakte, jo me fjalë, me të vërteta, jo me baltë, me prova, jo me sajës dhe me fabrikime të ulta.

Për mua kjo detyrë është një mision, jo një karrige e lartë. Është një pasion, jo një kalkulim praktik. Është një bindje atdhetare, jo një karrierë politike. Ashtu sikundër, jua them pa asnjë zbukurim, është edhe një sfidë me historinë. Një sfidë me historinë që unë besoj se mund ta fitoj, jo pse jam ky që jam, po sepse kam fuqinë e të gjithëve ju, fuqinë e Partisë Socialiste të Shqipërisë!

Kjo, le të thonë çfarë të duan, le të lehin sa të duan, kjo është e vetmja parti politike e shqiptarëve që kurrë s’e ka tradhtuar interesin kombëtar dhe që, me të gjitha të metat, me të gjitha gabimet, me të gjitha dështimet që mund t’i numërohen, në historinë e tre dekadave pluralizëm, mbetet sot e gjithë ditën, forca politike më e madhe, më e fortë, më e aftë dhe pa diskutim më atdhetarja prandaj edhe më e besueshmja nga shqiptarët.

Nga kjo foltore, nga kjo sallë ku kanë ardhur sot të gjithë kandidatët për kryetarë bashkish por dhe këshilltarët e ardhshëm bashkiak, të partisë sonë në të gjithë Shqipërinë, unë dua tu bëj të gjithë shqiptarëve një apel:

30 qershori vërtetë do të nxjerrë se kush do t’i drejtojë bashkitë për katër vitet e ardhshme, po njëkohësisht do të vendosë ikjen përfundimtare të politikës shqiptare përpara dhe lënien pas një herë e mirë të fantazmave dhe të hienave të të shkuarës!

Këtu do të jemi dhe të gjithë do ta shohin vetë, se si pas 30 qershorit gjërat nuk do të jenë më njësoj si më parë. Kush prej jush kujton se meqë nuk hyn në zgjedhje, disa parti të falimentuara, do shkatërrohet demokracia, gabon 100%. Përkundrazi.

Disfata e tyre e paralajmëruar është edhe paralajmërimi i një ripërtëritjeje demokratike për Shqipërinë, po edhe për ata vetë, nëse më në fund do të dinë ta lexojnë të vërtetën sepse vetëm humbasin e humbasin. Kur të ketë marrë fund dhe kjo aventurë e fundit e çmendur e imponimit të dhunshëm mbi shumicën, mbi shtetin, mbi ligjin. Nuk ndodh, nuk ka për të ndodhur, nuk kemi për ta lënë të ndodhë. Patjetër, e kanë zgjedhur vetë, të nisen me sytë mbyllur, kokën ulur, drejt murit që duan ti bien me kokë.

Kolapsi i sigurt i udhëheqjes së tyre, nuk është fundi i demokracisë, siç nuk është absolutisht jo shterimi i demokratëve të zakonshëm shqiptarë. Përkundrazi.

Prandaj zgjedhjet vendore kësaj radhe, janë shumë më të rëndësishme se kurdoherë tjetër. Edhe për ata që do të votojnë, edhe për ata që s’do të votojnë.

Ja pse ne do të mobilizohemi, me të gjitha forcat dhe energjitë tona, që të jemi në lartësinë e kësaj sfide historike për demokracinë tonë dhe vendimtare për vazhdimin e rrugës jashtëzakonisht të vështirë por të sigurt të progresit të përditshëm në çdo aspekt.

Ja pse në 30 qershor nuk do të fitojmë vetëm ne, vetëm ne apo vetëm kandidatët por do fitojë vetë Shqipëria Europiane e fëmijëve tanë.

Shikojeni se si prapë janë lidhur gjërat dhe prapë sot, edhe një herë tjetër, në histori, misioni politik i Partisë Socialiste është mishërimi i të vetmes rrugë për Shqipërinë europiane.

Shumë faleminderit të gjithëve ju! Shumë faleminderit për mundimin, për durimin në këtë sauna socialiste dhe për mbështetjen dhe energjinë që më jepni. Jam shumë krenar për ju dhe të gjithë bashkë jemi shumë krenarë për Partinë Socialiste të Shqipërisë!

Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!

* Fjala e Kryeministrit dhe njëkohësisht kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama në hapjen e fushatës elektorale