VIDEO/ Ndodhi në vendin tonë, i riu tradhton të fejuarën, e zbulon dedektivi
Transmetuar më 04-06-2019, 16:38

Kjo që po shihni është një Dedektive Private. Shkënda Lili, është e vetmja grua në vendin tonë që investigon në tregun e Dedektivit Privat.

Eva, u paraqit te Dedektivi Privat sepse, dyshon se i fejuari i saj e tradhëton.

“Kërkoj që ta faktoj që me të vërtetë ai ka një lidhje tjetër”, thotë Eva, një vajzë e cila dyshon se i fejuari e tradhton.

Shkënda Lili: Eva ku e ke kuptuar ti ekzaktësisht që marrëdhënia juaj nuk funksionon?

Eva: E kam kuptuar kur ai filloi të vinte gjithnjë e më vonë në shtëpi. Kur e merrja në telefon, ai më thoshte që kam punë ose nuk e hapte telefonin fare.

Eva ishte 19 vjeçe kur erdhi në Tiranë nga rrethi i Fierit, 6 vjet më parë, për të ndjekur studimet e larta për mësuesi, ndërsa familja kishte vendosur më herët për fatin e saj.

Eva: Problemi im ka shumë vite që ka filluar. Kur isha 18 vjeç, babai më fejoi me një djalë nga Roskoveci nga jam edhe vetë. Problemi është në faktin që babai thotë se, çfarë do të mendojnë të tjerët, nëse ti do të ndahesh. Kam kuptuar që marrëdhënia jonë nuk funksionon më për faktin se e kam kapur duke folur me një tjetër femër, ia kam treguar edhe babit, por i fejuari nuk e ka pranuar, madje më ka thyer telefonin në nerva e sipër.

E fejuar pa dëshirë me djalin e zgjedhur nga prindërit, por si të mos mjaftonte kjo, Eva dhunohej dhe tradhtohej nga bashkëjetuesi.

Eva: I fejuari është i punësuar në një bankë. Ne bashkëjetojmë, kemi ardhur në Tiranë që kur unë u zhvendosa për shkak të studimeve. Në moshën që unë jam duhet të mendoj seriozisht ta hedh apo jo hapin tjetër që është martesa. Kështuqë më duhet të vërtetoj nëse ia vlen apo jo të vazhdoj me të.

Në fokusin e detektivit privat nuk janë vetëm problemet në çift. Shumë prindër janë të shqetësuar për shoqërinë e fëmijëve në shkollë si edhe konsumimi i lëndëve narkotike nga të rinjtë.

Shkënda Lili: Në shumë raste kam konstatuar që adoleshentët lënë orët e mësimit, janë përdorues të hashashit, kanë shoqëri të keqe. Më ka rastisur që këto lloj sjelljesh përfundojnë ose me lëndë narkotike, ose lidhje me një person që nuk është moshatar, pra më i madh në moshë. Sipas prindit, fëmija ndodhet në shkollë por në fakt është me të dashurin që është shumë më i madh se vetja.  

Detektivja private tregon se si ruan objektivin dhe sa është koha e përshtatshme për të realizuar një investigim të suksesshëm.

Shkënda Lili: Për dy javë arrihet të kuptohet nëse ka një tradhti sepse nëse ekziston një marrëdhënie absolutisht për dy javë do të takohet. Ka raste që duan prova për t’i faktuar edhe në gjykatë, siç janë çiftet e martuara të cilët kanë edhe fëmijë.

Ligji  mbi “Funksionimin dhe organizimin e profesionit të detektivit privat”, operon në vendin tonë në bazë të një vendimi gjykate.

Provat që sigurohen nga detektivët privat janë të vlefshme në gjykatë vetëm nëse janë bërë në ambiente publike./ABC News

Loading...
loading...
Loading...