Transmetuar më 06-06-2019, 00:42

Rreth 800 gazetarë në Shqipëri kanë dëshmuar se punojnë nën presion dhe kanë marrë urdhra për të bërë ose për të trajtuar lajmin nga pronarët e mediave.

Studimi i bërë publik kohë më parë është cituar këtë të mërkurë nga Zv/ ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Leyla Moses – Ones, në kontekstin e rëndësisë e lajmit të verifikuar.

“Media e pronarët e mediave gjithnjë e më shumë kontrollojnë atë që raportohet dhe simulohet. Gjysma e të anketuarve raportuan se kishin marrë një urdhra të drejtpërdrejtë nga një pronar media ose kryeredaktorë për të shkruar një lajm të porositur dhe 41 % besonin se të gjitha mediat e censuronin veten kurse  36 % besonin se kishte vetë censurë të shpeshtë”, tha  Leyla Moses – Ones Zv/ ambasadorja e SHBA.

Apeli i diplomates amerikane i është bashkangjitur mbështetjes politike dhe financiare të vendit të saj për të pasur gazetarë të ditur e të përgjegjshëm përkundrejt klimës represive të tregut mediatik.

“Më bën përshtypje trimëria që ju tregoni, kurajo që ju tregoni çdo ditë në kapërcimin e të gjitha pengesave që ju synojnë t’ju bëjnë të heshtni”, tha ajo.

Fjala e plotë

Liria e shtypit është një e drejtë themelore e njeriut. Një shtyp i pavarur ushqen debatin e gjallë për krijimin e një shoqërie të lirë, në të cilën qytetarët mund të shprehin me respekt pikëpamjet pluraliste. Shpesh është i vetmi zë për ata që përndryshe janë të margjinalizuar ose që nuk gëzojnë të drejtat civile. Në rastin më të mirë, media siguron llogaridhënie – informon qytetarët dhe frymëzon qeveritë t’i shërbejnë popullit të tyre me mirëbesim. Media ruan liritë tona.

Për të përmbushur këtë rol mbikëqyrës, media duhet të tregojë të vërtetën. Propaganda, informacioni i rremë dhe keqinformimi kërcënojnë mediet e hapura dhe të pavarura kudo në botë. Këto fenomene mund të jenë veçanërisht përçarëse në Ballkan, një rajon që po bën hapa të mëdhenj në forcimin e demokracisë dhe të sundimit të ligjit. Ndërsa rajoni përparon drejt integrimit të suksesshëm euro-atlantik, kjo konferencë mbi shqyrtimin e fakteve dhe keqinformimin mbahet në një kohë vendimtare.

Këtu në Shqipëri, Ambasada e Sh.B.A.-së bëri publike kohët e fundit rezultatet e një studimi të profesionistëve të medias. Studimi, i cili pasqyroi zërat e 800 profesionistëve të medias në të gjithë vendin, konfirmoi një mjedis në të cilin pronarët e mediave gjithnjë e më shumë kontrollojnë atë që raportohet dhe si mbulohet. Mbi gjysma e të anketuarve raportuan se kishin marrë një urdhër nga një pronar medie ose kryeredaktor për të shkruar një lajm të porositur. 41 për qind besonin se “të gjitha mediat censuronin veten” dhe 36 për qind mendonin se kishte “vetë-censurë të shpeshtë”.

Ndërsa këto shifra tregojnë se ka ende punë për t’u bërë, përkushtimi juaj për raportimin e bazuar në fakte dhe raportimin investigativ na jep shpresë. Shqyrtimi i fakteve luan një rol vendimtar për të zbuluar paragjykimet dhe kundërshtuar censurën. Puna juaj për të përmirësuar cilësinë e gazetarisë në Shqipëri dhe në rajon nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ju jep mbështetjen e saj të plotë. Gjatë viteve të fundit, kemi investuar vazhdimisht në gazetarinë investigative dhe të bazuar në fakte. U kemi dhënë prioritet burimeve tona për të krijuar mundësi dhe për të hapur rrugët për ata që kërkojnë të flasin të vërtetën. Çdo vit dërgojmë gazetarë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara dhe sjellim ekspertë të medias amerikane në Shqipëri për të ndarë praktikat më të mira dhe për të përmirësuar cilësinë e gazetarisë. Laboratori ynë i Gazetarisë Investigative jep përvojë praktike për ata që synojnë të bëhen gazetarë, në mënyrë që të zhvillojnë aftësitë që iu nevojiten për të bërë investigime të hollësishme, tërheqëse dhe të bazuara në fakte. Të hënën e shkuar, një grup studentësh të gazetarisë në Universitetin e Tiranës përfunduan një modul të mbështetur nga Qeveria e SHBA mbi Gjykatat dhe Krimin. Ky modul i pajis ata me njohuritë e nevojshme për të luftuar korrupsionin në gjyqësor. Presim që kjo të institucionalizohet si pjesë e programit mësimor të universitetit.

Së fundi, jam veçanërisht krenar që Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur gazetarët shumë punëtorë të “Faktoje”, që kanë qenë pjesë përbërëse e organizimit të kësaj konference. Ata qëndrojnë pas shërbimit të parë të shqyrtimit të fakteve në vend, i cili është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë në Republikën e Shqipërisë. Nëpërmjet këtyre dhe nismave të tjera, ne premtojmë të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja për të punuar drejt një mjedisi mediatik të bazuar në fakte dhe pa censurë në Ballkan. Ju bëj thirrje ta merrni mundësinë unike që kjo konferencë paraqet për të krijuar një rrjet dhe për të përcaktuar një strategji për të luftuar keqinformimin.

Ju përgëzoj për angazhimin tuaj për t’i thënë të vërtetën njerëzve me pushtet. Sikurse tha botuesi i mirënjohur Joseph Pulitzer: “Gazetaria është një profesion fisnik dhe me rëndësi të pakrahasueshme për nga ndikimi në mendjet dhe moralin e popullit”. Më bën shumë përshtypje trimëria që ju tregoni çdo ditë në kapërcimin e pengesave që synojnë t’ju bëjnë të heshtni".