Transmetuar më 06-06-2019, 20:28

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare është një nga njohësit më të mirë të trajnerit aktual të Kombëtares kuqezi, nisur edhe nga fakti i bashkëpunimit me të te lacialët vite më parë.

Në këtë ndryshim të pankinës shqiptare, Tare ka qenë për Edoardo “Edy” Rejën një nga këshilluesit kryesorë dhe, si i tillë, ai e cilëson zgjedhjen e italianit si lëvizjen e duhur të bërë nga Federata shqiptare e Futbollit.

“Edi Reja është njeriu i duhur, në vendin e duhur dhe në momentin e duhur. Por, çdo gjë është e lidhur me rezultatet, kështu që Kombëtares shqiptare që është e ndërtuar me një përzierje lojtarësh, me eksperiencë dhe shumë të rinj, eksperienca e tij do të jetë ndoshta çelësi i suksesit për dy vitet e ardhshme”, tha Igli Tare.

Për këdo që ka dilema rreth moshës 73-vjeçare të Edy Rejës, Igli Tare ka një shpjegim.

“Mosha është thjesht një numër. Ai është një 73-vjeçar që bën jetën e një 40-vjeçari, shumë energjik dhe i pëlqejnë sfidat. Kam folur gjatë me të, i kam dhënë mendimin tim për ekipin dhe besoj se me kualitetet që janë, kjo skuadër mund të luftojë për vendin e dytë apo të tretin në grup”, tha Igli Tare.

Si një futbollist i lindur dhe i rritur te Partizani, sigurisht që rikthimi i titullit pas 26 vitesh te “të kuqtë” ka qenë një lajm i gëzueshëm për Igli Taren.

“Fitimi i kampionatit nga Partizani është një gjë shumë e mirë për futbollin në Shqipëri. Gega ka qenë edhe një ish-kolegu im në skuadër, puna e bërë prej tij ka qenë me të vërtetë për t’u admiruar. Por, mbi të gjitha diferencën e ka bërë mirëorganizimi i strukturës së klubit, me figurat e duhura, sepse Olsi Rama është një drejtor i ri, ka një karakter që është shumë i domosdoshëm për futbollin shqiptar, sepse është njeri i qetë”, tha Tare.

Ndërkohë, në aspektin personal Igli Tare është për të disatin vit drejtori sportiv më i kërkuar në Itali. Së fundmi, emri i tij është lakuar nga drejtuesit e rinj të Milanit, të cilët e vlerësojnë shumë e po bëjnë përpjekjet maksimale për ta pasur në gjirin e tyre.

“Janë gjëra pozitive në një aspekt, deri në një moment të dytë. Duhet të dish edhe t’i menaxhosh mirë. Por ajo që është më kryesorja, është se jam në një klub të madh dhe në një ambient shumë familjar. Sa i përket të nesërmes, nuk mund ta parashikoj. Unë e quaj Lazion një klub shumë të madh, por si profesionistë, gjithçka mund të ndodhë në botën tonë”, tha Igli Tare. /TCH/