Transmetuar më 07-06-2019, 05:01

Ministria e Jashtme greke ka publikuar notën zyrtare, me anë të së cilës i kërkon Gjermanisë dëmshpërblimet e Luftës së Dytë Botërore.

Publikimi vjen miratimit të rezolutës përkatëse nga Parlamenti në fund të muajit prill.

Qeveria greke i kërkon asaj gjermane negociata për plotësimin efektiv të këtyre kërkesave, të cilat ajo thotë se janë të një rëndësie të veçantë për popullin grek, si çështje morale dhe materiale.

Por përgjigjja e Berlinit ka qenë dhe mbetet negative.

“Qëndrimi i Qeverisë federale mbetet i pandryshuar: Çështja e kompensimeve gjermane është zgjidhur përfundimisht, si ligjërisht, ashtu dhe politikisht”, tha Steffen Seibert, zëdhënës i qeverisë gjermane më 18 prill të këtij viti.

Pretendimet e Greqisë kanë të bëjnë me kompensimin dhe dëmshpërblimet për dëmet që pësoi vendi dhe qytetarët gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, dëmshpërblimet e luftës për viktimat dhe pasardhësit e tyre nga pushtimit gjerman, shlyerjen e të ashtuquajturës “kredi e pushtimit”, si dhe kthimin e veprave të artit dhe atyre arkeologjike të grabitura nga nazistët.

Kërkesën e Greqisë e mbështeti që në fillim partia e majtë gjermane “Die Linke”.

Nota zyrtare është dorëzuar në Ministrinë e Jashtme gjermane nga ambasadori grek në Berlin dhe ky akt cilësohet si një hap tjetër drejt dërgimit të çështjes në Gjykatën ndërkombëtare të Hagës.

Sipas medieve greke, llogaritet se shuma që i kërkohet Gjermanisë nga Lufta e Dytë Botërore është midis 269.5 deri 390 miliardë euro, shumë më e vogël sesa borxhi kolosal grek.