Transmetuar më 07-06-2019, 20:32

Projekti për ndërtimin e stadiumit të ri në qytetin e Kukësit, tashmë është një realitet dhe të hënën në terren do të zbresin makineritë e rënda që do të kryejnë një volum të madh punimesh.

Sipas projektit, fusha do të jetë me bar natyral, me standarte evropiane, me përmasa 105 x 68 m, me kapacitet deri në 8 mijë shikues, si dhe do të plotësojnë të gjithë elementët e tjerë për t’u luajtur aty ndeshje ndërkombëtare.

FK Kukësi, e ka vuajtur mungesën e një stadiumi të tillë, sidomos këtë sezon futbollistik, duke u endur me çanta në duar nëpër stadiumet e vendit, gjë që ndikoi dhe në rezultate, pasi loja në prani të tifozërisë është më rezultative.

Parashikohet që të punohet me ritme të larta dhe pas një viti ekipi t’i rikthehet qytetit dhe tifozërisë që e ka ndjerë mungesën e tij.

FK Kukësi ka 7 vite në Kategorinë Superiore dhe ka arritur rezultate rekord duke qenë pjesëmarrës në çdo sezon në Kupat e Evropës.

Ka fituar një titull Kampion dhe dy Kupa të Shqipërisë.

Stadiumi aktual u ndërtua në një kohë rekord 7 vite më parë, por ai tani nuk i përmbush kërkesat e niveleve të larta, ku Kukësi luan në futbollin shqiptar dhe atë evropian.