Biba mbledh KQZ për t’i dhënë paratë partive, Zguri braktis mbledhjen
Transmetuar më 10-06-2019, 23:45

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur për vijimin e punës për organizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, por i gjendur përballë një dekreti presidencial që e shfuqizon këtë datë, kreu i KQZ-së Klement Zguri nuk ka pranuar të vijojë me drejtimin e kësaj mbledhjeje, me arsyetimin se dekreti është detyrues dhe duhet respektuar.

Pas largimit të Zgurit, nënkryetari i KQZ-së Denar Biba, ka dhënë sqarimet e tij se përse ky dekret është i pavlefshëm, duke bërë thirrje edhe që puna e KQZ-së të vijojë për organizimin e zgjedhjeve në mënyrë që qytetarëve t’u mundësohet të votojnë e zgjedhin çdo katër vjet, sipas çdo parashikimi Kushtetues.

Po në të njëjtën linjë kanë qenë edhe anëtarët e tjerë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët thanë se minimalisht do të duhej të ishte vendosur një datë e re për zhvillimin e zgjedhjeve.

KQZ ka vijuar mbledhjen nën drejtimin e nën kryetarit Denar Biba duke miratuar çdo pikë të rendit të ditës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi projektvendimet:

“Për shpërndarjen e fondeve për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor”. KQZ vendosi të shpërndajë si paradhënie, fondet e vëna në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019. “Për miratimin e listës shumemërore të shtetasve të cilët mund të emërohen kryesisht anëtarë të KQV-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019”. “Për lirimin dhe emërimin e disa anëtarëve të KZAZ nr. 79, nr. 89, anëtarit të emëruar kryesisht të KZAZ nr. 3 dhe sekretarit të emëruar kryesisht të KZAZ nr. 15, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019”.

Loading...
loading...
Loading...