Transmetuar më 11-06-2019, 09:28

Pas kërkesës së Partisë Socialiste për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta, nisin procedurat.

Kështu paraditen e sotme do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, ku do të diskutohet pikërisht për shkarkimin e Presidentit.

Në kërkesën e Partisë Socialiste thuhet se, “Pasi u njohëm me aktin e paprecedent të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018, ‘Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore’ dhe duke e vlerësuar atë si një akt absolutisht të pavlefshëm, të marrë në kapërcim të kompetencave të institucionit të Presidentit dhe në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese dhe demokratike, si dhe duke konsideruar se ky akt synon të pengojë në mënyrë të kundërligjshme realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptare për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, bazuar në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një mocioni me debat në seancën më të parë të Kuvendit për këtë çështje, në përfundim të të cilit propozojmë miratimin e një rezolute sipas draftit bashkëngjitur”.

Gjithçka pasi kreu i shtetit firmosi anulimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit.

Menjëherë pas këtij vendimi PS mblodhi Kryesinë, ku akti i Presidentit u cilësua i paprecedentë dhe në kundërshtim me Kushtetutën, duke kërkuar shkarkimin e tij,

Sakaq në Konferencën e Kryetarëve, do të vendoset për datën e mocionit për debatin, lidhur me shkarkimin e Presidentit. /a.y/noa.al