Transmetuar më 11-06-2019, 14:56

Borxhi i jashtëm i ekonomisë shqiptare në tërësi ka vijuar rritjen edhe në tremujorin e parë të vitit 2019 dhe shkak për këtë zgjerim është huamarrja e qeverisë.

Banka e Shqipërisë raportoi së fundmi se Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë shënoi rreth 8,411 milionë euro gjatë periudhës janar-mars, në rritje vjetore prej 6%.

Qeveria e Përgjithshme zotëron rreth 46% të totalit të Borxhit të Jashtëm Bruto të Shqipërisë. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis Sistemit Bankar (17%), Sektorëve të tjerë (36%) dhe Autoritetit monetar (1%).

Sektori i Qeverisë së Përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e BJB-së. Në fund të muajit mars 2019, detyrimet e Qeverisë së Përgjithshme u vlerësuan në 3,860 milionë euro dhe prezantohen kryesisht si hua afatgjata, obligacione dhe dëftesa.

Referuar fundvitit 2018, borxhi i jashtëm i Qeverisë së Përgjithshme u rrit me rreth 31 milionë euro. Teprica e huave afatgjata u zgjerua me rreth 35 milionë euro, ndërsa ajo e obligacioneve ra me 4 milionë euro.

Banka e Shqipërisë argumentoi se efekti i kursit të këmbimit të valutave kryesore ka qenë pozitiv dhe në masën 39 milionë euro, ndërkohë, diferencat e rivlerësimit (ndryshime të tjera nga riklasifikimi) shënuan 5 milionë euro.

Stoku i borxhit të Autoritetit Monetar ose Bankës Qendrore, shënon 58 milionë euro, pa lëvizje të konsiderueshme gjatë T1 2019.

Detyrimet e Autoritetit Monetar përbëhen vetëm nga alokimet e SDR-së, sepse huatë afatgjata të akorduara nga FMN u shlyen gjatë T1 2019.

Në fund të marsit 2019, stoku i borxhit të jashtëm bruto të Sistemit Bankar shënon rreth 1,434 milionë euro dhe prezantohet kryesisht në formën “hua” dhe “monedha e depozita”, respektivisht në rreth 13% dhe 86% të totalit, shkruan ‘monitor’.

Gjatë tremujorit, ky sektor ka rritur nivelin e borxhit me rreth 7 milionë euro në drejtim të rritjes së detyrimeve afatgjata. Referuar nivelit të fundvitit 2018, sektorët e tjerë kanë rritur detyrimet e tyre me jashtë, me rreth 26 milionë euro në nivelin 3,060 milionë euro.

Lëvizjet kryesore reflektojnë zgjerim të detyrimeve afatgjata në formën e “kredive tregtare” (18 milionë euro) dhe detyrimeve në formën e huave midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt “investime direkte – hua ndërkompani”, (32 milionë euro).

Banka raportoi se rritja e stokut të BJB-së ka qenë kryesisht në drejtim të borxhit afatgjatë të Qeverisë së Përgjithshme, si dhe të huamarrjes ndërmjet kompanive (në formën e investimit direkt).

Totali i tërheqjeve ose fluksi i borxhit të ri (huave) gjatë tremujorit të parë të vitit 2019, ishte 73 milionë euro.

Tërheqjet e sektorit publik shënojnë 35 milionë euro dhe ato të sektorit privat 38 milionë euro. Detyrime të reja të borxhit të Qeverisë së Përgjithshme përfaqësojnë në masën 48% totalin e tërheqjeve gjatë periudhës. Shërbimi i borxhit të jashtëm (pagesat e principalit dhe të interesit) për tremujorin e parë 2019, shënon 88 milionë euro.

Nga këto, rreth 49 milionë euro janë pagesa të Qeverisë së Përgjithshme, 30 milionë euro të Sektorëve të tjerë, 8 milionë euro të Sistemit Bankar dhe 0.3 milionë euro të Autoritetit Monetar. Në masën 74%, shërbimi i borxhit ka qenë për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe në 26% për shlyerjen e interesave. Qeveria e Përgjithshme mban peshën kryesore në shlyerjet e principalit me rreth 30 milionë euro ose 45% të vlerës së përgjithshme të principalit, si dhe në shlyerjen e pagesave të interesit për periudhën, me rreth 20 milionë euro, ose 85% të vlerës së përgjithshme të interesave të paguara nga ekonomia.