Transmetuar më 11-06-2019, 15:49

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka firmosur sot urdhrin që i hap rrugën zhvillimit të mocionit me debat për dekretin e Presidentit Ilir Meta, i cili rrëzoi 30 qershorin si datë për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, pa dekretuar një tjetër date.

Në vendimin e firmosur nga kryeparlamentari Ruçi caktohet si pikë e 3 në rendin e ditës zhvillimi i mocionit me debat i kërkuar nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili një ditë më parë kërkoi që diskutimet të përqendrohen tek dekreti i Metës.

“Mocion me debat, kërkuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste “Mbi aktin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, date 5.11.2018 “Për caktimin e datës se zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, thekson urdhrin e firmosur nga PS.

Kujtojmë që pas diskutimeve, socialistët pritet të kërkojnë shkarkimin e Metës nga Kuvendi.

Sakaq, Presidenti Ilir Meta pritet të dalë në një konferencë të jashtëzakonshme sot në orën 16:00. Me gjasë Meta do të japë një datë për zgjedhjet e ardhshme lokale, ose do të japë shpjegime pas vendimit te PS-së për mocion ditën e enjte./b.l/noa.al/