Transmetuar më 11-06-2019, 16:11

Prokuroria Belge, i është drejtuar me një letërporosi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kur kërkon marrjen në pyetje të Lulzim Bashës, si person që ka dijeni për ngjarjen e sekuestrimit të 3.4 milion eurove në portin e Durrës.

Kjo kërkesë vjen në Shqipëri, pasi në Belgjikë prej disa muajsh kanë nisur hetime për 12 persona për akuzën e pastrimit të parave. Personat e proceduar në Belgjikë janë Alfred Vladi, Elvis Vladi, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Niman Nimani, Alman Nimani, Albana Vladi, Arianit Nimani, Drita Sopo dhe Driton Hakaj.

Mësohet se pas kësaj kërkese Krimet e Rënda kanë caktuar një seancë pyetjesh për kreun e Partisë Demokratike.

Kujtojmë se aksioni për bllokimin e sasive të eurove u finalizua me 24 qershor të vitit të kaluar, ndërsa eurot me prerje të ndryshme ishin fshehur në një makinë tip “Toyota Yaris” pa targa. Mjeti ishte nisur nga Belgjika dhe nuk kishte destinacion përfundimtar.

Mjeti tip “Toyota Yaris”, ku u gjetën paratë ishte në një koncesion bashkë me mjete të tjera të cilat ishin porositur për shitje në Shqipëri. Autoritetet shqiptare janë duke hetuar për dërguesin si dhe porositësin e mallit, ndërsa sot në pyetje janë marrë personat e mësipërm, të cilët kanë mohuar të kenë patur dijeni pë sasinë e parave.

Kujtojmë se për këtë rast ka patur edhe akuza të forta politike mes Partisë Demokratike, e cila ka treguar gishtin drejt Taulant Ballës, si të përfshirë. Ky i fundit ka mohuar akuzat, duke paditur Bashën në gjykatë, ndërsa përballja mes tyre vijon.