Transmetuar më 12-06-2019, 10:54

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, jep një mesazh me rastin e 28-vjetorit të Partisë Socialiste.

Duke publikuar një flamur të PS, me datën 30, që simbolizon datën e zgjedhjeve, ai jep urimin.

“Gëzuar ditëlindjen e 28-të Partisë Socialiste të Shqipërisë, forcës më të madhe politike të shqiptarëve, e cila sot drejton Shqipërinë tonë në përpjekjen europeiste për të ndërtuar dhe forcuar shtetin modern të së drejtës, sundimin e ligjit dhe parimet e mirëqenies sociale”, shkruan Balla.

Ai shton se Partia Socialiste e Shqipërisë është sot forca politike më e besueshme për partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë në angazhimin e saj qeverisës, demokratizues dhe reformator.

Sipas tij, sot teksa afron 30 Qershori i zgjedhjeve vendore, konfirmohet qartë se misioni historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë në gjithë rrugëtimin e saj ka qenë dhe mbetet një shtet shqiptar me institucione funksionale, ku respektimi i Kushtetutës dhe i ligjit është detyrim i zbatueshëm dhe i barabartë për çdo shtetas shqiptar.

“Urime të gjithë anëtarëve të Partisë Socialiste!”, shkruan Balla. /a.y/noa.al