Transmetuar më 12-06-2019, 11:22
Foto ilustruese

Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për gjobvënie, është vënë në pranga në aeroportin e Rinasit.

Policia Kufitare e Rinasit në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Interpol Pekini/Kinë, gjatë kësaj të marte kanë bërë arrestimin e shtetasit G.L, 25 vjeç, lindur në Kinë.

Kjo pasi i riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, më 23 prill për veprën penale “Gjobëvënie”, vepër për të cilën rrezikon 10 vite burg.

Zyra e Sigurisë Publike të Bashkisë së Goazhou, në Kinë, ka zhvilluar hetime, ndaj një grup kriminal, të tipit mafioz, të cilët merrnin përfitime ekonomike nëpërmjet dhënies me kamatë, hapjes së kazinove, kumarit dhe marrjes me dhunë të borxheve.

Shtetasi G. L, është një prej anëtarëve kryesorë të këtij grupi.

Në vitin 2013, i riu së bashku me pjesëtarë të tjerë të grupit, kanë rrëmbyer shtetasin X.L., duke e detyruar atë të ripaguajë një borxh, në vlerën e 3.8 milionë Yuan kinez.

Në vitin 2014, në të njëjtën mënyrë ka detyruar shtetasin W.H., që të paguajë një hua duke e detyruar atë të shesë 23 suita, 40 vendparkime dhe 6 automjete me çmimin shumë të ulët. Si rezultat i këtij bashkëpunimi u bë i mundur arrestimi i shtetasit të mësipërm, me qëllim ekstradimin e tij drejt Kinës. /a.y/noa.al