Transmetuar më 12-06-2019, 13:00

Prokurori i krimeve të Rënda, Vladimir Mara i është nënshtruar procesit të vettingut. Seanca dëgjimore ndaj prokurorit Mara, i cili është kandidat për SPAK, u zhvillua sot.

Sipas raportit të ILDKPKI Mara nuk ka fshehur pasurinë dhe nuk ka konflikt interesi. Gjithashtu rezulton se prokurori ka burime të ligjshme të pasurisë.

Ai është hetuar në lidhje me një banesë që ka në përdorim me familjen e tij, e cila është në proces legalizimi.

Prokurori ka mospërputhje të deklaratës së parë të vitit 2008 me atë të vitit 2016 në lidhje me banesën. Në lidhje me pastërtinë e figurës, DSIK ka dorëzuar një raport me konstatimin se subjekti është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Në lidhje me aftësitë profesionale, KLP ka kryer një hetim për prokurorin, duke konstatuar se prokurori ka treguar cilësi të pranueshme në punë, ka përmbushur me përpikmëri disiplinën në punë.

KPK hetoi mbi të dhënat e bëra publike në lidhje me problematikën e ekstradimit të shtetasit Nezar Seitin, për këtë, Komisioni mori në shqyrtim argumentimin e të gjithë institucioneve për rastin. KPK kërkoi shpjegime edhe nga subjekti për rastin, shpjegimet e dhëna prej ti do merren parasysh. Vendimi për Marën do jepet më 14 qershor.