Transmetuar më 12-06-2019, 13:08

Aleatët e vegjël opozitarë i kanë shkuar mesditën e sotme në zyrë, kryedemokratit Lulzim Basha.

Ky takim i zgjatur afro një orë, vjen pak para takimit të pasdites së sotme mes tyre dhe Presidentit Ilir Meta, për tu konsultuar për të caktuar datën e re të zgjedhjeve, pasi kreu i shtetit anuloi 30 qershorin.

Në takim me Bashën ishin Fatmir Mediu i Republikanëve, Nard Ndoka i PDK, Agron Duka i PAA, Dashamir Shehi i LZHK dhe Vangjel Dule i PBDNJ.

Sakaq Presidenti Ilir Meta nis sot konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Burime nga Presidenca bëjnë me dije se takimet e para do të nisin sot në ora 19:00 me krerët e partive të Grupimit të Qendrës së Djathtë, ose thënë ndryshe partitë aleate të Partisë Demokratike.

Mësohet se takimet do të nisin fill pas vizitës në Kosovë ku Presidenti Meta do të marrë pjesë në festimet e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Kjo lëvizje e kreut të shtetit vjen në një kohë që Partia Socialiste ka kërkuar shkarkimin e tij.

Ndërkohë në seancën e nesërme parlamentare do të zhvillohet pesë orë debat, lidhur me anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit nga Presidenti. /a.y/noa.al