Transmetuar më 13-06-2019, 09:56

Pas 75 vitesh, Kara Troy Robbins, 98 vjeç, veteran amerikan i Luftës së Dytë Botërore, ritakoi sërish dashurinë e tij të parë, francezen Jeanine Ganaye, 92 vjeçe.

Dy të moshuarit ishin njohur në Francë gjatë luftës, në vitin 1944 dhe ishin lidhur për dy muaj. Takimi ndodhi me rastin e 75-vjetorit të zbarkimit në Normandi.

“Të kam dashur gjithmonë, Jeanine. Nuk je ndarë kurrë nga zemra ime”, i tha burri të moshuarës, direkt në televizion.

Takimi mes tyre u mundësua në sajë të kanalit televiziv France2. Gjithçka nisi, kur gazetarja franceze kontaktoi Robbins, po xhironte një dokumentar dedikuar ushtarëve që luftuan në Normandi.

Me këtë rast burri pati mundësinë që të tregojë historinë e tij të dashurisë, duke iu treguar gazetarëve edhe një fotografi të Jeannine, e cila asokohe ishte 17 vjeçe.

Gazetarët u vunë menjëherë në punë për të gjetur gruan, ku pas një sërë kërkimesh, zbuluan se ajo ishte gjallë dhe jetonte në Montigny-lès-Metz, duke organizuar edhe takimin.

“Ai ishte me leje dhe kërkonte dikë që ti lante rrobat. Nëna ime pranoi që ta ndihmonte. Mund të thuhet se ka qenë një dashuri e rrëmbyeshme. Nuk mund të komunikonim shumë për shkak të gjuhës, por ishim mirë bashkë. Sa herë që ishte i lirë vinte tek unë. Kishim nevojë për pak më shumë kohë”, tregon gruaja.

Një histori e bukur dashurie e ndërprerë thuajse menjëherë, pasi veterani u thirr sërish në front, shkruan noa.al.

“Gjatë natës u zhduk, u mor me një kamion. Normalisht isha shumë e trishtuar. Kur je mirë me dikë, është vërtetë e vështirë që të ndahesh”, tregoi e moshuara.

Robbins u kthye në SHBA dhe u martua dhe të njëjtën gjë bëri edhe Jeannine në Francë. Tashmë që të dy janë të ve dhe kanë premtuar se do të takohen edhe përtej kamerave. /a.y/noa.al