Transmetuar më 15-06-2019, 07:54

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kredia për shtëpi u rrit me 11%, krahasuar me një vit më parë.

Në fund të muajit mars, stoku i huave të dhëna për blerje shtëpie në lekë ishte 57.5 miliardë lekë, ndërsa stoku i kredisë për blerje banese në monedhën euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë ishte 53.8 miliardë lekë. Kredia e dhënë në euro shënoi rënie për shkak të nënçmimit të valutës, por edhe si pasojë e politikës së deeuroizimit që ka ndjekur Banka e Shqipërisë, për të ulur përdorimin e monedhës së përbashkët në ekonomi.

Klajdi Memajdini nga DevInf thotë se 70-80% e shitjeve që ndërmjetësohen nëpërmjet agjencisë së tij financohen nëpërmjet kredisë. Sipas oficerëve të kredisë që punojnë në bankat tregtare, huatë për blerje banese kanë risk të ulët dhe rrallë klasifikohen si kredi të këqija, sepse individët përpiqen me çdo kusht që të jenë në rregull me bankat për të mos humbur shtëpitë.

Periferia kërkohet nga individët me të ardhura të ulëta, të cilët janë favorizuar nga kreditë e buta. Në fund të 2018-s, 1104 kryefamiljarë ishin përfitues të kredisë së butë, të cilët përfitojnë kredi për shtëpi me interes fiks prej 3%, ndërsa pjesa tjetër i subvencionohet nga Bashkia e Tiranës. Shuma totale e kredisë së butë për fituesit e 2018-s është 5.9 miliardë lekë. 359 prej tyre kanë aplikuar për një garsoniere, më shumë se gjysma për një shtëpi 1+1, ndërsa 194 për një shtëpi 2+1.

Burime nga tregu pohojnë se pjesa më e madhe e individëve, përfitues të kredive të buta kanë të ardhura të ulëta, jo më shumë se 75-80 mijë lekë në muaj, të cilët në përgjithësi nuk kanë mënjanë kursime të tjera përveç kredisë. Përgjithësisht këta kanë furnizuar kërkesën për blerje në periferi, në zonën e Yzberishtit apo Freskut, ku sipas oficerëve të kredisë janë rritur çmimet. Ndërtuesi Hajredin Fratari thotë se ka operuar kryesisht me apartamentet me çmime të lira dhe klientët e tyre kanë qenë kryesisht familjet e reja, të cilët kanë përfituar kreditë e buta.

BSH: Çmimet e apartamenteve janë rritur me mbi 15% në 5 vitet e fundit

Banka e Shqipërisë ka raportuar se çmimet e banesave janë rritur me 15.2% gjatë periudhës 2013-2018. Indeksi është përllogaritur mbi bazën e informacionit të raportuar nga shoqëritë e ndërtimit dhe agjentët që operojnë në tregun e pasurive të paluajtshme. Treguesit e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të aktivitetit në tregun e pasurive të paluajtshme thonë se oferta dhe kërkesa kanë treguar përgjithësisht rritje gjatë periudhës.

Banka qartëson se në tregun e pasurive të paluajtshme, kërkesa përgjithësisht reflekton zhvillimet demografike, ecurinë e të ardhurave dhe kushtet e financimit për blerje apo zhvillim të pasurive të paluajtshme, ndërsa oferta është e lidhur me numrin e lejeve të ndërtimit.

Nga këndvështrimi i kërkesës, të dhënat e sektorit bankar për periudhën tregojnë një rënie të lehtë të tepricës së kredisë për blerje pasurish të paluajtshme gjatë gjashtëmujorit të 2018-s, por nivel më të lartë në krahasim me një vit më parë. normat e interesit të kredisë për pasuri të paluajtshme shënuan rritje të lehtë gjatë gjysmës së dytë të vitit.

Të intervistuarit raportojnë që rreth 54% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare, nga vrojtimi i aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë, gjatë T4 2018, rezultoi se kërkesa e individëve për kredi për pasuri të paluajtshme është rritur, ndërkohë që kushtet e miratimit për këtë lloj kredie dhe për këtë kategori huamarrësish kanë vijuar të lehtësohen.

Koha mesatare e shitjes së pronave në rang vendi, në gjashtëmujorin e dytë të vitit, ishte mesatarisht 10.9 muaj ose rreth një muaj më e gjatë se në gjashtëmujorin e kaluar. Për Tiranën dhe zonat e tjera, koha e shitjes është rritur me rreth 1-2 muaj, ndërsa për zonën e Bregdetit koha e shitjes është shkurtuar me rreth 2.5 muaj.

Nga këndvështrimi i ofertës të dhënat e INSTAT-it tregojnë një rritje të qenësishme të sipërfaqes dhe numrit të lejeve të ndërtimit për objekte banimi gjatë 2018. Rezultatet e vrojtimit tregojnë që vëllimet e shitjeve janë rritur vetëm për qendrën dhe periferinë e Tiranës, dhe shënuan rënie në bregdet dhe në zonat e tjera të vendit, shkruan ‘monitor’.

Teprica e kredisë për ndërtim është rritur me 8.7% në krahasim me fundin e gjashtëmujorit të parë, dhe me 3.1% në krahasim me fundin e vitit të kaluar.

Kredia për ndërtim zë 15% të tepricës së kredisë për bizneset dhe kjo peshë ka ardhur në rritje, por mbetet nën nivelin prej rreth 20% të regjistruar gjatë harkut kohor 2007–2011. Cilësia e kredisë për pasuri të paluajtshme është përmirësuar dhe raporti i kredive me probleme ka rënë në 5.7%, nga 6.8% në qershor 2018 dhe 7% një vit më parë.