Transmetuar më 15-06-2019, 16:46

Kryeministri Edi Rama ka shkuar në Kolonjë, ku ka prezantuar përpara qytetarëve kandidatin e Partisë Socialiste për Bashkinë, Erion Isai.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë deklaroi se ky është një moment i rëndësishëm për Kolonjën dhe për Shqipërinë.

Sipas tij Partia Demokratike është katandisur më keq se ç’ka qenë.

Para vendimit për çeljen e negociatave për Shqipërinë, Rama tha për PD se “atyre ua ka fajin mendja”.

“PD-ja është me keq se ç’ka qenë. Ka keq, por ka edhe më keq. Këto zgjedhje janë të çuditshme në një kuptim sepse nuk janë kundërshtarët kryesor. Nuk janë gjëja më e mirë që mund t’i ndodhte Shqipërisë, para se të marrë vendimin për çeljen e negociatave. Atyre ua ka fajin mendja e tyre”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, kandidati i Partisë Socialiste për Kolonjën, Erion Isai ka folur para elektoratit të tij në hapjen e fushatës nga PS.

Isai ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se do t’ja “nxijë jetën” duke i kërkuar investime për zonën në të cilën ai kandidon.

“Do t’ua nxi jetën për projekte dhe investime në Kolonjë. Ta zgjojmë dhe ta bëjmë Kolonjën për turizimin dhe ndoshta do ndodhë edhe çudia. Ndoshta Niko Peleshi do ta lërë Korçën dhe do të vijë për pushime në Ersekë. I them dy fjalë zemre bashkëmoshatarve, ejani dhe investohoni këtu,”-u shpreh Isai.

Para kolonjarëve foli edhe ministrja për marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali ku tha se një grup kaçakësh të opozitës nuk mund t’i nxjerrë socialistët nga rruga që kanë nisur.

“Është Reforma jonë në Drejtësi që i ka trembur dhe kanë dalë me çeta rrugëve, por nuk na marrin dot peng, nuk e  marrin dot peng Shqipërinë. Më 30 qershor të gjithë kolonjarët duhet të votojnë ashtu siç i ka hije, për të treguar që Shqipëria ka rend, ka ligj dhe Shqipëria do të bëhet dhe një çetë kaçakësh nuk na nxjerr dot nga kjo rrugë. Edhe në 1997 Kolonjarët rrinin në radhë për të paguar energjinë elektrike. Tani është detyra jonë ët organizohemi me qetësi dhe të shkojmë në qendrat e votimit për të hedhur votën, për të treguar se jemi europianë”, tha Spiropali. /a.k/noa.al/