Transmetuar më 16-06-2019, 15:24

Kreu i opozitës Lulzim Basha i përgjigjet kryeministrit Edi Rama, i cili riktheksoi sot nga Maliqi se opozita kërkon djegien e Shqipërisë. Basha shprehet se ka një lajm të keq për kryeministrin, duke nënvizuar se Shqipëria nuk do të digjet dhe as opozita nuk do të trembet.

“Edi Rama ka javë që bredh nëpër Shqipëri duke ngjallur panik e duke kërcënuar sa me djegie të vendit dhe sa me burgosje të të gjithë opozitës. Kam një lajm të keq për të: Shqipëria nuk do digjet dhe opozita nuk trembet. Këto muaj e fundit Rama ka ndaluar dhe arrestuar qindra qytetarë dhe opozitarë, së fundi drejtuesit e PD së Elbasanit dhe Librazhdit, dhe të gjithë e kanë parë se askush nuk trembet nga kërcënimet dhe veprimet e tij perverse”, shkruan Basha.

Më tej kreu demokrat thotë se fundi i tij dhe i veglave të tij në qeveri dhe Parlament, është i pashmangshëm. “Këtë shqiptarët po ja provojnë atij përditë kudo nëpër Shqipëri, të cilën ai tani e viziton nën mbrojtjen e qindra forcave policore, sikur të jetë duke ecur përmes një territori armik dhe jo vendit të tij.

Fundi i tij dhe i veglave të tij qorre në kuvend, qeveri, polici, prokurori është i pashmangshëm! Ai e di këtë, prandaj është shpërfytyruar dhe po bën atë që bëjnë kriminelët kur rrethohen: po kërcënon se do të shpërthejë bombën e do t’i hedhë të gjithë në erë”, tha ai.

Në fund ai iu drejtohet bashkëqytetarëve të tij ku ju thotë se, “duhet të jenë të sigurtë, asgjë e keqe nuk do të ndodhë: Edi Rama do të ikë dhe të vetmit që do të marrë me vete do të jenë mercenarët e tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin. #ShqipëriaSiEuropa #21qershor”./b.l/noa.al/