Transmetuar më 16-06-2019, 22:19

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për "Al Jazeera" se ndryshimi i datës së zgjedhjeve lokale do të minonte demokracinë e Shqipërisë.

Ai thotë se proceset zgjedhore bëhen që të vendosin qytetarët për politikanët, dhe jo e kundërta.

“Nëse do vendosim precedentin që një parti, dy parti, tre parti, një palë, vendos të imponojë kushtet e zgjedhjeve, atëherë këtë precedent do e kemi për shumë vite në vazhdim. Në fund të fundit, zgjedhjet nuk bëhen që të vendosin politikanët, por që njerëzit të vendosin për politikanët”, ka thënë kreu i qeverisë.

Koshient për problemet me krimin dhe korrupsionin, Rama kërkon bashkëpunim për të luftuar këto dy të këqia.

“Mendoj se Shqipëria ka një problem me krimin e organizuar dhe korrupsionin, si çdo vend që nuk është ende një shtet modern dhe funksional. Prandaj jemi në këtë proces, prandaj nuk jemi anëtarë të BE-së, prandaj nuk po pretendoj se është një padrejtësi që nuk jemi anëtarë sot.Ne duhet të përgatitemi, të modernizohemi, të luftojmë krimin dhe korrupsionin me vullnet të fortë, por gjithçka ka të bëjë me institucione shumë të forta dhe mekanizma shumë të fuqishëm dhe funksional në çdo drejtim”, thotë Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare deklaron se nëse bisedimet e pranimit do të jenë të suksesshme, do të përfitojnë si Shqipëria ashtu edhe BE-ja.

“Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë të rrethuar nga kufijtë e BE-së, kështu që ne jemi disi një organ i një trupi që tërhiqet nga trupi. Është një zonë brenda Bashkimit Evropian që nuk duhet lënë si një hapësirë e hapur për aktorët e tjerë që mund të mos jenë shumë të prirur për të parë përparimin e Bashkimit Evropian”, ka vijuar Rama për “Al Jazeera”.