Transmetuar më 17-06-2019, 08:43

Një aksident fatal u shënua në orët e para të kësaj të diele në aksin rrugor Elbasan-Tiranë, pranë rrethrrotullimit të një qendre tregtare. Dy prindërit dhe vajza e tyre e vogël gjetën vdekjen, ndërkohë që në gjendje kome ndodhet vajza tjetër.

Nga përplasja fatale gjeti vdekjen Bardhok Bibaj 62 vjeç, gruaja e tij Valentina Bibaj 54 vjeç, vajza e tyre Florida Bibaj 22 vjeçe, e cila sapo kishte festuar ditëlindjen dhe ishin duke u kthyer për në shtëpi, në zonën e Bathores në Tiranë.

Ndërkohë në koma ndodhet vajza tjetër Xhuljana Bibaj 26 vjeçe. Sakaq krahas tyre i plagosur me lëndime të shumta, mbeti edhe drejtuesi i makinës tip “BMW” i afërm i familjes, Arlintin Alia 32 vjeç.

Policia tha se Alia humbi kontrollin e mjetit i cili po ecte me shpejtësi të madhe, duke dalë nga rruga për tu përplasur me bordurën.

Familja Bibaj me origjinë nga Mirdita, kishte qenë bashkë me disa të afërm në një lokal jo shumë larg vendit ku ndodhi aksidenti, për të festuar ditëlindjen e 22-vjeçares Florida, e cila gjeti vdekjen nga përplasja.

Ndërkohë pas tyre në një makinë tjetër ndodheshin edhe disa të afërm, bashkë me vajzën e tretë të familjes. /a.y/noa.al