Transmetuar më 17-06-2019, 12:41

Përfaqësues të Partisë Demokratike janë përplasur me policinë në KZAZ nr.2, në Shkodër, e cila ndodhet te pallati i sportit “Qazim Dervishi’.

PD thotë se policia ka tentuar që në mënyrë të dhunshme dhe të paligjshme të hyjë në KZAZ nr.2 në Shkodër në shkelje të dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Demokrati Bardh Spahia ndodhej pranë banorëve të cilët kundërshtojnë procesin zgjedhor, duke e vlerësuar këtë akt të dhunshëm të policisë si urdhër politik të Edi Ramës.

Më herët kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi kërkoi ndihmën e policisë për të liruar ambientet e Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.

Në një letër drejtuar policisë së Shkodrës, Ademi kërkoi që të zbatohet dekreti i Presidentit, për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. /a.y/noa.al