Transmetuar më 17-06-2019, 14:13

Këshillimi i Lartë i Prokurorisë ka kërkuar shtyrjen e afatit ligjor për verifikimin e plotësimit të kushteve nga kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm.

KLP kërkoi shtyrjen e afatit pasi kandidati Olsi Çela nuk i është nënshtuar akoma vettingut.

Kreu i KLP, Gent Ibrahimi u shpreh se do pritet derisa të përfundojë vettingu për kandidatin Çela për vlerësimin e plotësimit të kritereve nga ana e kandidatëve.

“Olsi Çela nuk i është nënshtruar akoma vettingut. Sot jemi mbledhur për shtyrjen e afatit derisa Çela të kalojë procesin e vettingut. I kemi kërkuar KPK të përshpejtojë proceduarat”, u shpreh Ibrahimi.

KLP do të rendisë tre kandidatura dhe pritet që të rrëzohet një prej aplikuesve. Pas hapjes së garës nga KLP për këtë post që ka një mandat 7-vjeçar kandiduan tre prokurorë dhe një avokat, të cilët brenda një afati 45 ditor, tre prej tyre do t’i kalojnë parlamentit në bazë të një renditjeje.

Kryeprokurori zgjidhet me 3/5 me një mandat 7 vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Nëse Kuvendi nuk e zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve, atëherë detyrën e merr kandidati i renditur i pari në listë.