Transmetuar më 17-06-2019, 18:53

Tiranë, 17 qershor 2019 – Tirana Bank, në linjë me politikat e Përgjegjshmërisë Sociale të Korporatës, së Grupit Balfin dhe UNDP, Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara, prezantuan sot një partneritet për të promovuar mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri.

Fushata tremujore, e cila i vë qytetarët në krye të mbrojtjes së mjedisit, do të zbatohet nga të dyja palët. Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin rreth seriozitetit dhe urgjencës së rrezikut që vjen si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe t’i bëjë thirrje publikut të gjerë për të vepruar në mbrojtje të natyrës, detit e lumenjve dhe për të trajtuar çështjen e ndryshimeve klimatike.

Drejtori i Përgjithshëm i Tirana Bank, z. Dritan Mustafa u shpreh: "Partneritetin me UNDP Albania në këtë projekt e shohim si një vlerë të shtuar të fushatës sonë të përbashkët. Fushata jonë do të trajtojë dy çështje kyçe të mbrojtjes së mjedisit. Letra e ricikluar ndikon në ruajtjen e burimeve natyrore, redukton emetimet e gazrave serë, zvogëlon ndotjen. Riciklimi dhe përgjegjshmëria ndaj ndryshimeve klimatike janë të ndërlidhura, të dyja kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit".

Znj. Limya Eltayeb, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, u shpreh: "Partneritetet janë në qendër të axhendës së zhvillimit të qëndrueshëm dhe axhendës së UNDP-së. Agjenda 2030 i angazhon të gjitha palët e interesuara dhe sidomos sektorin privat, që të punojnë së bashku për të nxitur rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, zhvillimin shoqëror dhe mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që të gjithë janë të përfshirë. Në këtë drejtim, jemi të lumtur të bashkohemi me Tirana Bank për të rritur ndërgjegjësimin, përkrahjen dhe gjenerimin e veprimeve nga shoqëria në mbështetje të mjedisit ".

Fushata tremujore "Të gjithë për Tokën" do të promovohet në media duke synuar të përçojë mesazhin e përgjegjshmërisë për të mbrojtur mjedisin.

Fushata e ndërgjegjësimit nuk është konceptuar thjesht si këshilluese ndaj publikut, por vetë stafi i Bankës është angazhuar në veprime konkrete në mbrojtje të dy kauzave.

Për vite me radhë Tirana Bank ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme për riciklimin e letrës në dobi të natyrës.

Referuar të dhënave të çertifikatave ECO lëshuar nga kompania Reisswolf Albania, vetëm në 7 muajt e fundit sasia e letrës së ricikluar ka qenë mbi 16 tonë, kjo e përkthyer në kursim të:

Rreth 49,000 kg drurë 517,000 Litra ujë 107,000 Kw/H energji

Në vijim t֝ë kësaj nisme, gjatë muajit qershor stafi i Tirana Bank është sensibilizuar në pastrimin e disa zonave në mbarë Shqipërinë (Tiranë, Shkodër, Sarandë, Pogradec, Fier, etj.), duke konkretizuar objektivat e fushatës.

Lidhur me kauzën e dytë, të ndryshimeve klimatike, Tirana Bank dhe UNDP kanë përzgjedhur që nëpërmjet videove këshilluese të ndërgjegjësojë publikun mbi rëndësinë e veprimeve të përditshme nën moton: “Çdo veprim i vogël ka vlerë!”.