Transmetuar më 17-06-2019, 19:07

Komisioneri për zgjerimin i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, pasi mbërriti në Luksemburg për mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme ka folur për gazetarët në lidhje me cështjen e çeljes së negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.

Në fjalën e tij, ai ka përmendur vetëm Maqedoninë e Veriut, ndërsa Shqipërinë jo.

Ndërkaq, ai ka thënë se nëse vendi i cili ka investuar në perspektivën evropiane, pra Maqedonia, nuk do të shpërblehet, atëherë do të humbasë përgjegjshmëria dhe besueshmëria e BE.

Hahn u shpreh: “Mesazhi im për këdo është që të kuptojnë se situata rajonale ka nevojë për një farë perspektive. Një vend ka investuar në mënyrë të jashtëzakonshme në perspektivën evropiane dhe lidershipi i tyre ka treguar kurajë.

Nëse kjo gjë nuk do të shpërblehet, ne nuk humbasin vetëm përgjegjshmërinë tonë, por edhe besueshmërinë. Pra çdo gjë që kemi investuar me sukses në muajt e fundit do të vendoset në rrezik nëse ne nuk i qëndrojmë besnik premtimeve tona”.