Transmetuar më 18-06-2019, 00:04

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha të hënën se mungesa e vendimit për datën e nisjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, do të kishte pasoja të këqija për sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon, si dhe për procesin e përafrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Mogherini i bëri komentet në ditën e parë të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg.

Ajo tha se Komisioni Evropian konsideron se Shkupi dhe Tirana janë gati për të filluar negociatat.

"Është interesi ynë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në Bashkimin Evropian", tha Mogherini.

Ministrat e BE-së pritet të vendosin të martën për këtë çështje.

Por, burime nga BE-ja kanë thënë se vendimi për dhënien e datës për Maqedoninë e Veriut do të shtyhet deri në vjeshtë, ndërsa për Shqipërinë, për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe problemeve me krimin e organizuar, BE-ja nuk është e gatshme që ta miratojë datën.

Çfarë pritet të ndodhë

martën në takimin e ministrave të Jashtëm në Luksemburg vendet anëtare pritet që të merren shkurt edhe me Ballkanin. Disa vende të BE kanë kërkuar që të merret një vendim pozitiv për çeljen e negociatave. Por duket se atmosfera e përgjithshme nuk është në favor të një vendimi të tillë, pavarësisht premtimeve të mëhershme.

Vendimi pritet të shtyhet

Sipas të gjitha gjasave vendimi do të shtyhet deri në shtator të këtij viti. Në një draft të takimit, i cili ka qarkulluar që të hënën për mediat, e që Deutsche Welle e zotëron thuhet, se në konkluzionet e takimit të ministrave të Jashtëm vetëm do të theksohet përparimi i bërë dhe vlerësimi pozitiv i përparimit që nga raporti i kaluar. Në kuadër të kohës së kufizuar dhe rëndësisë së çështjes, Këshilli do t’i kthehet çështjes me qëllim të marrjes pozitive të vendimit sa më shpejt që është e mundur dhe jo më vonë se shtatori 2019.

Gjasat për çelje të negociatave për Maqedoninë e Veriut janë mjaft të larta, mirëpo ato të Shqipërisë janë goditur rishtas me një vendim të Qeverisë së Holandës e cila ka vlerësuar se çelja e negociatave me Shqipërinë është e parakohshme.

Holanda edhe pse një vend i vogël ka peshë në Bashkimin Evropian pasi është kontribuesi më i madh për banor në buxhetin e BE-së dhe shihet si përfaqësues i vendeve të vogla në BE.

Para disa ditëve në një takim me anëtarë të Parlamentit Evropian u theksua, se Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij në shumicë janë për zgjerim dhe çelje të negociatave por kjo nuk përcillet edhe nga vendet anëtare. Deklarata nga ky takim i rëndësishëm do të bëhet të martën (18.06) në një konferencë për gazetarë në Luksemburg në orët  e pasdites.

Shtypi gjerman komenton negociatat

TV DREJTPËRDREJT

FOKUS

„NZZ“: Modeli i BE për zgjerimin has në Ballkan në limite

5 orë më parë

Tageszeitungen Presse Presseschau (picture alliance/dpa/S.Hoppe) Bild Zeitung boton një artikull, ku bën fjalë për manipulim zgjedhjesh më 2017 në Shqipëri. . NZZ analizon procesin e afrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Bild Zeitung boton një artikull, ku bën fjalë për manipulim zgjedhjesh më 2017 në Shqipëri​ duke i bashkangjitur edhe protokolle nga përgjimie telefonatash. Ndërsa „Neue Zürcher Zeitung" i kushton një analizë procesit të afrimit të Shqiëprisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Bild Zeitung: „Shqipëria është një vend i bukur, por dhe një nga vendet më të prapambetura të Europës. Për turistët një vend i virgjër dhe me çmime të favorshme që ia vlen të vizitohet. Por ky vend rrezikon të zhytet në kaos: Ndërkohë konsiderohet si një republikë e drogës, si Kolumbia e Europës. Dhe Shqipëria riskon të bëhet një rrezik për Ballkanin e paqendrueshëm. Një nga arsyet është, se ajo po degradon në një republikë të mafies, ku klanet krimnale dominojnë politikën dhe jetën publike. Korrupsioni është normal. Po ashtu si edhe blerja e votave në zgjedhje." …"Prej muajsh ka demonstrata masive. Opozita akuzon qeverinë socialiste të kryeministrit Edi Rama, se i ka manipuluar me ndihmën e mafies zgjedhjet parlamentare më 2017, duke blerë vota dhe duke i vënë nën presion përkrahësit e opozitës e madje edhe duke i penguar ata të votojnë." Gazeta Bild artikullit i ka bashkangjitur edhe botimin e segmenteve të reja nga protokollet e përgjimeve të hetuesve shqiptarë, përmes të cilave kuptohet, të ketë pasur një plan sistematik të partisë socialiste në pushtet për manipulimin e zgjedhjeve më 2017. Qëllimi: manipulimi i zgjedhjeve, blerja e votave, intidimidimi i zgjedhësve të opozitës, shkruan Bild Zeitung, duke publikuar edhe regjistrimet audio të bisedave telefonike mes zyrtarëve dhe përfaqësuesve lokalë në rrethe si dhe një bisedë telefonike mes kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarit të Ministrisë së Brendëshme Arben Keshi.

Modeli i deri tanishëm i BE-së për zgjerimin has në Ballkan në limitet e veta, nënë këtë titull „Neue Zürcher Zeitung" (NZZ) analizon situatën sa i përket mundësisë së hapjes së neogictave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Disa vende të BE-së janë kundër fillimit të negociatave me Shqipëriën dhe Maqedoninë e Veriut. Më kot kryesia e BE-së përpiqet të gjejë një konsensus për vazhdimin e procesit të zgjerimit. Modeli i shkëmbimit „reforma kundrejt integrimit" është bllokuar, shkruan NZZ: „Që në shumë vende anëtare ka rënë fryma për zgjerimin, këtë e tregoi edhe fakti, se Komisioni raportin vjetor e publikoi pas zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së, për të mos u dhënë me rekoamndimin e vet për hapjen e negocitave argumenta partive populiste të djathta në Europën Perëndimore. Ndërkohë që disa vende në Europën Lindore e mbështesin antarësimin e vendeve të Ballkanit. Ndër to edhe Polonia nga ndërmarrë një nismë në favor të integrimit të këtre dy vendeve." …"Deri tani po avancojnë në mënyrë të çalë negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi. Se sa delikat është procesi këtë e tregon edhe nisma holandeze, që i kërkon Bruksleit të rishikojë pas 10 vjetësh liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Haga ankohet për rrjetet kriminale dhe imigracionin ilegal nga ky vend." … „Që modeli i deritanishëm i zgjerimit të BE-së ha hasur në limitet e veta, këtë e ka bërë të qartë në mënyrë indirekte edhe vet e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini. Ajo tërhoqi vëmendjen duke publikuar raportin e progesit, se duhet të vlerësohen arritjet e këtyre vendeve. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë dëmtohet kredibiliteti i BE-së në rajon e më gjerë. Mos pranimi i „arritjeve hitorike" si kompromisi i emrit të Maqedonisë minon stabilitetin dhe pengon reformat e mëtejshme. Por edhe pse Mogherini përbetohet për kët tlinjë, fakt është që procesi i shkëmbimit, sipas të cilit vendet kandidate të ofrojën reforma dhe qendrim konform gjeopolitik në këmbim të hapave të integrimit me BE-në, prej kohësh nuk po funksionion", shkruan „Neue Zürcher Zeitung".