Transmetuar më 18-06-2019, 09:57

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vendimin ditën e sotme për kreun e Gjykatës së Apelit Administrativ, Kastriot Selita.

Kështu nga verifikimet e kryera në kuadër të procesit të vetingut, Selita është konfirmuar në detyrë.

Ky konfirmim vjen teksa Selita është gjyqtari ndaj të cilit u bë denoncim, pasi ishte gjyqtari që shqyrtoi çështjen e vitit 2016 të Bledar Valikaj, me palë bashkëshortin e deputetes socialiste Ermonela Felaj dhe Presidentit te Republikës Ilir Meta.

Gjatë seancës dëgjimore, KPK bëri me dije se ndaj Selitës kishte 17 denoncime, por u veçua denoncimi i kryer nga një grup gjyqtarësh anonimë, që pretendonin se gjyqtari kishte vepruar në kundërshtim me legjislacionin në çështjen me palë paditëse Bledar Valikajn.

Bledar Valikaj ishte pjesë e një liste prej nëntë kandidatësh që ish-kryeprokurori Adriatik Llalla ia propozoi Presidentit Bujar Nishani për dekretim si prokurorë në nëntor 2015.

Kërkesa për promovimin e Valikajt u rrëzua në heshtje nga Presidenti i Republikës, por ai e paditi Presidencën në Gjykatën Administrative, duke pretenduar se kishte plotësuar kriteret dhe kishte fituar konkursin për t’u emëruar prokuror në Kukës, duke e konsideruar të paligjshëm qëndrimin e Presidentit.

Pasi e fitoi gjyqin në të dyja shkallët e Gjykatës Administrative, Valikaj iu drejtua Këshillit të lartë të Prokurorisë me kërkesën për ekzekutimin e vendimit gjyqësor. /a.y/noa.al