Transmetuar më 18-06-2019, 11:00

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, mohon që të ketë dijeni për kërcënim të mundshëm ndaj kryedemokratit Lulzim Basha.

Duke folur sot nga Vlora nga një aktivitet ku ishte i pranishëm ai tha se, “Nuk kam asnjë informacion që Lulzim Basha është kërcënuar. Takime me truproja të Gardës kam pasur, kjo është puna ime e përditshme. Të takoj truproja të Gardës”.

Ky reagim i ministrit vjen pasi ditën e djeshme sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i dërgoi një letër Lleshaj, me anë të së cilës pretendon se jeta e kryeopozitarit Lulzim Basha është në rrezik.

Në letër thuhej se “Feim Dollapaj, punonjës i Gardës së Republikës, me detyrë shoqërues i kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, na ka informuar në lidhje me takimin që ju keni pasur me të, me kërkesën tuaj ditën e premte, datë 14.06.2019 ora 15:00, në zyrën tuaj në Ministrinë e Brendshme. Ashtu siç keni i kërkuar, z. Dollapaj na ka informuar se ju keni “informacione të tërthorta dhe të besueshme si Ministër i Brendshëm mbi rrezikun që i kanoset sigurisë së kryetarit të ppozitës zotit Basha’ dhe se ju prisni përgjigje verbale nëse zoti Basha ‘vlerëson se kërkon masa shtesë sigurie”.

Bardhi shtonte se Lleshaj e ka detyrim ligjor që informacionet e tërthorta dhe të besueshme mbi rrezikun që i kanoset sigurisë së kryetarit të opozitës t’i trajtojë në rrugë institucionale përmes përcjelljes zyrtare të tyre tek autoritetet përgjegjëse.

“Në bazë të ligjit, ju duhet ta përcillni informacionin që keni tek drejtuesit e Gardës së Republikës, që janë autoriteti përgjegjës për të vlerësuar masat e nevojshme të sigurisë ndaj një personaliteti shtetëror që gëzon mbrojtje të posaçme, si dhe tek institucionet ligjzbatuese që kanë përgjegjësinë ligjore për të gjurmuar, vlerësuar dhe neutralizuar çdo rrezik të tillë”, shkruante Bardhi. /a.y/noa.al

“Lulzim Bashës i kanoset jeta”, PD i shkruan Sandër Lleshaj