Transmetuar më 18-06-2019, 14:47

Ish-sekretari i Partisë Demokratike, Arben Ristani është paraqitur sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda sa i përket hetimit për lobimin në SHBA.

Katër ditë më parë Prokurorët e çështjes, Ervin Karanxha, Gjergji Tafa dhe Kolë Hysenaj kanë firmosur flet thirrjen për kryetarin demokrat Basha, ish-sekretarin e PD, Arben Risanti si dhe Ilir Dervishin, ekonomist i PD.

Tre prokurorët thanë se pas përfundimit të fazës paraprake të hetimeve që kanë nisur në 2018 gjetën elementë të veprave penale të kryera nga shtetasit Lulzim Basha, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.

Sipas prokurorëve mbështetur në hetimet paraprake, Basha, Ristani dhe Dervishi janë tashmë nën hetim. Vendimi i prokurorisë së kryeqytetit vjen pas letër-porosive nga SHBA. Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Basha nuk pranoi që dje të shkonte në prokurori duke kërkuar që më parë të njihet me faktet që ka nga hetimi, duke shtuar se atëherë do të ishte i gatshëm të shkonte. Prokuroria i lë kohë deri më 20 qershor për tu paraqitur, ndryshe të nesërmen më 21 qershor, do shoqërohet me forcë nga oficeri gjyqësor./b.l/noa.al/