Transmetuar më 18-06-2019, 15:26

Pas shënimit të incidenteve ditën e sotme në KZAZ në Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Tropojë, dhe qëndrimit zyrtar të KQZ me anë të zëdhënëses duke thënë se po shkelin ligjin, reagon Presidenti i vendit Ilir Meta.

Përmes zëdhënësit të tij, Meta shprehet se vlerëson të gjitha institucionet që zbatojnë ligjin dhe i inkurajon që ta bëjnë këtë me përgjegjshmëri maksimale dhe transparencë të plotë.

Në reagim thuhet se Presidenti po mban shënim të gjithë personat që shkelin ligjin dhe provokojnë tensione artificiale.

‘Presidenti Meta vlerëson të gjitha institucionet që zbatojnë ligjin dhe i inkurajon që ta bëjnë këtë me përgjegjshmëri maksimale dhe transparencë të plotë.

Presidenti mban shënim të gjithë personat që shkelin ligjin dhe provokojnë tensione artificiale, të cilat u shërbejnë vetëm atyre grupimeve të errëta vendase dhe të huaja, që kërkojnë destabilitet në Shqipëri dhe rajon, me qëllim defaktorizimin e Shqipërisë dhe shqiptarëveres’, thuhet në reagimin e Presidencës.

Më herët Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është përgjigjur kërkesave të bashkive të djathta, të cilat kërkojnë lirimin e ambienteve ku janë ngritur KZAZ-të. Në një dalje për mediat, zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxha tha se kush cënon procesin zgjedhor do të ndëshkohet.

“KQZ vijon punën për të mbajtur zgjedhjet e 30 qershor. Disa kryebashkiakë kanë shkruar shkresa për KZAZ. KQZ bën me dije se këto shkresa bien në kundërshtim me ligjin. KQZ ripërsërit kërkesën që të mos ketë veprime të jashtëligjshme, që KQZ dhe KZAZ të mund të bëjnë punën e tyre.

KQZ ka vendosur të cilësohet ineksizstent dekreti i presidentit Meta. Shqiptarët kanë të drejtë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor. Këto veprime janë me pasoja të rënda për zgjedhjet dhe vendin. Veprime të tilla përbëjnë vepra penale. Shkelja e këtyre ligjeve bën që personat që shkelin këto nene të mos kenë mundësi të zgjidhen, sipas ligjit të dekriminalizmit. Ne vijojmë punën normalisht për mbajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit”, u shpreh zëdhënësja e KQZ./b.l/noa.al/