Transmetuar më 18-06-2019, 17:48

Komisionerii për Zgjerimin Evropian, Johannes Hahn, thotë se nuk do të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të paktën deri në tetor të këtij viti.

Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Hahn tha se disa vende të BE-së nuk janë të gatshme për hapjen e negociatave.

Katër janë shtetet skeptike sipas Hahn, përkatësisht Holanda, Gjermania, Franca dhe Danimarka.

“Komisioni Evropian vlerëson dhe beson sërish se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të shpërblehen. Nuk është në interes të vetëm këtyre vendeve të Ballkanit që të bëhen pjesë e BE-së, por është edhe në interesin tonë. Të gjitha këto bazohen edhe në merita individuale. Zgjerimi ndikon për stabilitetin në rajon, megjithatë një vendim nuk është arritur të merret në lidhje me hapjen e negociatave, të paktën këtë verë. Kërkohet më shumë kohë për rekomandimet tona që ata të bëjnë vlerësimet e tyre”, tha ai.

Hahn ka pranuar se kriza politike në Shqipëri ka ndikuar te disa prej vendeve anëtare, duke mos e parë vendin tonë gati për hapjen e negociatave.

"Duhet më shumë kohë për raportin e Komisionit Europian, i cili jep vlerësimin pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Holanda, Danimarka, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar qe çështja e zgjerimit të lidhet me zhvillimet në secilin vend dhe kanë kërkuar më shumë përpjekje nga ana e tyre”, tha Hahn.

Ai shtoi se BE do të duhet t’u përmbahet me rigorizitet prioriteteve të përcaktuara për vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë proces. Dhe këtu ai nënvizoi reformën e drejtësisë në Shqipëri.

“Ajo që kam shpjeguar vazhdimisht është se BE dhe KE në veçanti ka rol të veçantë për përgatitjen e negociatave për zgjerimin dhe ne kemi ndikimin më të madh sa u përket këtyre vendeve të Ballkanit. Padyshim ju sot mund ta shikoni Shqipërinë dhe mund të shqetësoheni për krizën politike në Shqipëri, në mënyrë të veçantë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore. Por duhet të bëjmë një dallim çfarë është vendosur më herët mes Shqipërisë dhe BE, vendimit unanim të BE duke përcaktuar 5 prioritetet kyçe që janë zbatuar nga Shqipëria. Sidomos në çështjen e reformës në gjyqësor. Po zhvillon një reformë në drejtësi me magnitudë të paprecedentë”, u shpreh Hahn.

Më tej ai theksoi se, “Nuk mund ta fajësojmë Shqipërinë që për shkak të kësaj reforme disa gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese janë pezulluar. Do të ishte e padrejtë për t’i fajësuar autoritetet në lidhje me këto zhvillime. Padyshim ne nuk mund të injorojmë krizën e brendshme politike që ka pasur një farë ndikimi te vendet anëtare për vendimin e tyre ditën e sotme. Shpresojmë që deri në tetor do të ndryshojë mendimi i disa vendeve anëtare në lidhje me Shqipërinë. Duhet të shohim gjithmonë pjesën plot të gotës dhe jo pjesën bosh të saj”.