Transmetuar më 18-06-2019, 19:42

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule komentoi sot vendimin e BE për të mos hapur për të tretin vit radhazi negociatat me Shqipërinë.

Z.Dule komentoi edhe qëndrimin e kryeministrit i cili shigjetoi opozitën si shkaktare e shtyrjes së vendimit.

Nga ana tjetër në komentin e tij z.Dule shprehet i sigurt se në tetor kur pritet të çelen negociatat, z.Rama nuk do të jetë më në atë post.

"Mishërimi i së keqes politike të vendit, shoqërisë dhe qytetarëve, Timonieri i madh, fajëson opozitën dhe popullin e bashkuar për vendimin e sotëm negativ për çeljen e negociatave në Luksemburg duke i cilësuar “front politik të së keqes”. Por dështimi ka emër dhe mbiemër: Edi Rama!", thekson z.Dule.

Ndërsa shton: "Tetori, histori tjetër, me shumë zhvillime në shumë drejtime, pozitive dhe dinamike: për votën e lirë, demokracinë funksionale, shtetin e së drejtës. Por mbi të gjitha, Timonieri do të ketë “zbrazur qoshen” në krye të ekzekutivit".