Tensionohet situata parazgjedhore, zjarr në shkollën në Shkodër! Përplasen palët
Transmetuar më 18-06-2019, 23:22

Teksa më pak se dy javë ndajnë nga data e shumë kontestuar e zgjedhjeve të 30 qershorit, tensionohet situata në Shkodër.

Gjithçka pasi mbrëmjen e kësaj të marte, mbështetës të Partisë Demokratike u përplasën me policinë, në përpjekje për të marrë materialet zgjedhore ku iu vu zjarri edhe një klase.

Përfaqësues të administratës së Bashkisë së Shkodrës shkuan në ambientet e KZAZ-së numër 2 për të marrë materialet zgjedhore, por aty u shënuan përplasje me policinë.

Kjo pasi u tentua të tërhiqeshin materialet zgjedhore që ndodhen në ambientet e shkollës “Shajnaze Juka”. Situata vjen pasi Bashkia Shkodër u ka dërguar një shkresë shkollave të qytetit dhe në njësitë administrative të saj të mos lejojnë të aksesohen nga persona dhe institucione të paautorizuar na Bashkia e Shkodrës për të hyrë në këto objekte.

Në të njëjtën linjë bashkitë që administrohen nga të djathtët kanë urdhëruar zbatimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve, dhe kanë kërkuar lirimin e ambienteve ku ishin vendosur KZAZ-të.

Lidhur me këtë situatë kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi tha se janë djegur vetëm kartonat e vendvotimeve dhe se materialet zgjedhore janë në mënyrë të paligjshme në mjediset e shkollës, të cilat administrohen nga Bashkia e Shkodrës.

“Bashkia ka kërkuar zyrtarisht prej tre ditësh që godinat ku janë vendosur KZAZ-të dhe janë në pronësi të saj, duhet të lirohen”, u shpreh Ademi.

Nga ana e tij ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj reagoi lidhur me ngjarjen duke thënë se, “Përpjekje e turpshme e përfaqësuesve të PD për të djegur një shkollë në Shkodër. Ftoj qytetarët e Shkodrës që të distancohen nga ky turp i pamasë dhe të izolojnë bijtë e dhunës”.

Ai bëri një apel edhe për drejtuesit e bashkive, ndërsa për dhunuesit thotë se nuk do t’i shpëtojnë ligjit.

“Asnjë drejtues bashkie nuk mund të mbajë me dhunë dhe me zjarr mandatin që tashmë po mbaron. Nuk ka asnjë mundësi që dhunuesit t’i shpëtojnë ligjit. Pushteti mund të mbahet vetëm me votën e qytetarëve”, deklaroi Lleshaj.

Ndaj kësaj situate nuk ka qëndruar indiferente as ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli.

Ajo thotë se djegia e shkollës nuk është historia e Shkodrës dhe se e kundërta është historia e këtij qyteti.

“Kjo nuk ka ndodhur kurrë në 3 dekada. Një demokrat nuk djeg as mandate as shkolla. Një demokrat i vërtetë nuk hedh as molotov as ka frike nga zgjedhjet. Demokratët nuk kanë patur frike në ’97-ën kur gjysma e territorit kontrollohej nga bandat. Nuk largohet Rama duke refuzuar parimet e vlerat e demokracisë. Partia Demokratike lindi si endërr e lirisë dhe e të drejtës me votu”, shkruan Topalli.

Ajo shton se ai që mendon se do pengojë të drejtën e votës nuk është demokrat dhe se shqiptarët duan paqe.

“3 milionë shqiptarë nuk mund të mbeten gjatë peng të 4-5 vetëve”, thotë ajo në mbyllje.

Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia tha se PD distancohet nga dhuna.

“PD në fakt kishte organizuar një takim tek KZAZ 2 në orën 8, tek pallati i Sportit. Ne u njoftuam se në një tjetër KZAZ  kishte pasur shtim të forcave të policisë. Aty ishin forca të shumta, policie dhe FNSH. Shkolla është uzurpuar nga policia. Nuk ka pasur absolutisht qytetar tek shkolla kur ka shkuar FNSH . Sigurisht se distancohemi nga aktet e dhunës. Prezenca jonë është për të qetësuar situatën  mes qytetarëve dhe policisë”, u shpreh Spahia. /a.y/noa.al

Situata në Shkodër, Topalli: Demokratët nuk djegin as mandate, as shkolla

Tensionet në Shkodër, ministri Lleshaj: Përpjekje e turpshme e PD-së

Tension në Shkodër, mbështetësit e PD-së përplasen me policinë. Kërkojnë të marrin materialet zgjedhore

Loading...
loading...
Loading...