Transmetuar më 19-06-2019, 00:34

Brenda 15 ditëve Komisioni i Ligjeve do vendosë për t’i propozuar Parlamentit ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, pas vendimit të tij për çdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja, njoftoi sot nisjen e shqyrtimit të kërkesës së PS për të shkarkuar kreun e shtetit.

“Një grup prej 55 deputetësh, me shkresën numër 502 datë 17.06.2019 ka depozituar në Kuvend një kërkesë për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Nga ky moment, në zbatim të nenin 112 të Rregullores, Komisioni i Ligjeve e ka futur në procedurë shqyrtimi kërkesën e 55 kolegëve deputetë”, u shpreh Manja.

Brenda këtyre 15 ditëve, Komisioni i ligjeve duhet të dëgjojë Presidentin e Republikës, pasi Presidenti do të ketë të drejtë të japë argumentet e tij për anulimin e zgjedhjeve.

Në debat do të përfshihen dhe deputetët e rinj të opozitës. Për të miratuar kërkesën për shkarkimin e Presidentit Meta, mazhorancës i duhen 94 vota.

Por shkarkimi parlamentar është i pavlefshëm nëse nuk e miraton Gjykata Kushtetuese. E një të tillë nuk e kemi më prej shumë muajsh dhe as dimë kur do të ringrihet.

Sakaq janë rritur dryshimet se para se të ndodhë shkarkimi, Presidenti Meta do të shpërndajë Parlamentin pasi ai ka vetëm 122 nga 140 deputetë. Sipas Kushtetutës, Kuvendi është i ligjshëm nëse ka numrin e plotë të të zgjedhurve të popullit.