Transmetuar më 19-06-2019, 08:30

Dalin detaje nga ngjarja e rëndë e mëngjesit të kësaj të mërkure në zonën e Krastës në Martanesh, ku mbeti i plagosur një fëmijë vetëm 6 vjeç.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se fëmija R.Rrushi është qëlluar me tre plumba në fytyrë, si pasojë e një konflikti mes babait të tij me një person tjetër.

Fillimisht Koxherri dhe babai i fëmijës janë konfliktuar fizikisht, ndërsa më tej i riu është kthyer me një automatik duke hapur zjarr, por plumbat kanë kapur të miturin.

Aktualisht fëmija ndodhet në gjendje të rëndë, si pasojë e dëmtimeve të marra në fytyrë.

Policia tha zyrtarisht se rreth orës 01:15 të natës, është marrë informacion, se pas një konflikti për motive të dobëta në një lokal, mes shtetasve Jetmir Koxherri, H. Rr. dhe Sh. P., Koxherri, është larguar nga lokali dhe dyshohet se ka marrë një  armë zjarri dhe ka qëlluar në drejtim të banesës të shtetasit H. Rrushi.

Por për pasojë ka mbetur i plagosur një fëmijë i mitur, i cili po merr ndihmë mjekësore  në spitalin e Traumës në Tiranë.

Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera, në orët e para të mëngjesit, është bërë kapja e autorit të ngjarjes Jetmir Koxherri 27 vjeç, banues në Krastë, si  dhe sekuestrimi i armës së krimit. /a.y/noa.al

Martanesh, fëmija 6 vjeç plagoset me armë zjarri në fytyrë