Transmetuar më 19-06-2019, 10:40

Kryedemokrati Lulzim Basha është paraqitur rreth orës 10.30 të ditës së sotme në Prokurorinë e Tiranës, ku dhe është thirrur për tu pyetur për lobimin rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2017.

Në këtë mënyrë ai Basha i paraprin shoqërimit me forcë që ishte paralajmëruar nga Prokuroria.

Kjo paraqitje vjen pasi ditën e djeshme, në Prokurori shkoi edhe ish-sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani i akuzuar për “Pastrim parash” dhe “Falsifikim dokumentesh”.

Kjo pasi organi i akuzës kërkonte që Basha të paraqitej në Prokurori për t’u njohur me akuzën dhe për tu marrë i pandehur.

Ndërkohë në një letër dërguar Prokurorisë, Basha shkruante se, “Siç ju dhe opinioni publik jeni në dijeni, unë jam paraqitur në organin e prokurorisë mbi këtë çështje sa herë është kërkuar, në përputhje me ligjin. Këtë e kam bërë në respekt të plotë të ligjit, pavarësisht se në të gjitha rastet, thirrja e Kryetarit të Opozitës në prokurori mbi këtë çështje, është bërë gjithmonë pas paralajmërimit disa ditë përpara nga Qeveria dhe sa herë kjo e fundit ka qenë nën akuzë publike për skandale kriminale apo korruptive”. /a.y/noa.al