Transmetuar më 19-06-2019, 11:16

Kryedemokrati Lulzim Basha qëndroi afro gjysmë ore në Prokurorinë e Tiranës, ku u thirr për tu pyetur për lobimin rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2017.

Në dalje të organit të akuzës ai tha se Prokuroria nuk ka asnjë fakt ndryshe apo shtesë që nga 25 maji kur u paraqit për herë të fundit.

“Kjo për arsyen e thjeshtë, sepse kjo akuzë është bërë në zyrën e Ramës dhe për llogari të tij. Kjo akuzë nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë transaksion parash, nuk ka asnjë rus, nuk ka asnjë provë. Kjo është një dosje e përgatitur vetëm që ju të mos merreni me skandalet që i kanë plasur Edi Ramës dhe për të hequr vëmendjen nga skandalet që do të plasin nesër nga Bild. Kam qenë pesë herë këtu, për Tahirin, Xhafën, Rrahman Rrajën, për Vangjush Dakos dhe kjo është hera e pestë. Sa herë që i plasin skandalet Edi Ramës, si ato të BILD, këta nxjerrin çështje nga sirtaret. Jam i bindur që ky mision i Edi Ramës do të dështojë”, u shpreh Basha.

Në vijim shtoi se nuk ndihet i frikësuar, si dhe tha se Prokuroria nuk e kishte dosjen gati, duke paralajmëruar se “Ky proces do dështojë me sukses të plotë, për këtë le të presim 24 orët e ardhshme". /a.y/noa.al