Transmetuar më 19-06-2019, 13:16

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka konfirmuar edhe një herë arsyet pse vendimi i Këshillit në Luksemburg ishte për Shqipërinë pozitiv e i rëndësishëm. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook Cakaj tha se nuk ka asnjë kusht shtesë.

“Vendimi i djeshëm i Këshillit për Shqipërinë është i rëndësishëm për tre arsye kryesore: E para, Këshilli përqafon në tërësi Raportin e Komisionit që rekomandon hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë. E dyta, Këshilli ka bërë një trajtim pothuajse identik të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. E treta, Këshilli ka përcaktuar shprehimisht se vendimi i ardhshëm do të jetë ‘i qartë’ dhe ‘përmbajtësor’ për Shqipërinë, duke shmangur një situatë të papërcaktuar politike”, shprehet Cakaj.

Më tej ai shprehet se shtyrja vjen si rrjedhojë e pengesave procedurale dhe se vonesa në publikimin e Raportit të Komisionit është duke u manifestuar në vonesën në vendimmarrje të Këshillit.

“Vetë Këshilli në konkluzionet e tij të fundit nënvizon se për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion, krahasuar me rëndësinë e çështjes, vendimi do të shtyhet për më së voni në tetor. Shqipëria nuk është ngarkuar me asnjë kusht shtesë në rrugëtimin e saj evropian”, shkruan Cakaj.